Sport

Superliga e mbyll vitin me gola dhe spektakël


Kategoria Superiore ka luajtur sot javën e 12 dhe të fundit për këtë vit. Të gjithë ekipet kanë zbritur në fushë, duke dhuruar gola dhe spektakël.

Apolonia pas katër humbjeve rresht, ka arritur të mposht Kastriotin në shtëpi me një dy golësh të Mario Gjatës, ndërsa për miqtë shënoi Devid.

Skënderbeu arriti të fitonte ndaj Bylisit në një ndeshje të luftuar deri në fund, me rezultatin 4-3. Për Skënderbeun shënuan Alfred Mensah, Harallamb Qaqi, Shqiprim Taipi dhe Elvi Berisha, ndërsa për miqtë nga Ballshi shënuan Valentino Murataj, Xhoi Carkanji dhe Beji Anthony.

Në sfidën tjetër, Laçi u rikthye te fitorja, duke mundur me rezultatin 3-2 Partizanin. Për vendasit shënuan Van-Dave Harmon dhe një dy golësh nga Mentor Mazrekaj, një ish-lojtar i Partizanit, ndërkohë për demat shënuan Tedi Cara dhe Alessio Hyseni.

Klasikja e futbollit shqiptarë përfundoi me shifrat 1-1. Fillimisht shënoi Ernest Muçi për Tiranën, golit të të cilit do t’i përgjigjej ai i Demir Imerit, në krahun e kuqebluve të Vllaznisë.

Ndeshja e fundit e Superligës, ajo midis Kukësit dhe Teutës, përfundoi me shifrat 0-3 për durrsakët, me Kukësin që në katër ndeshjet e fundit numëron tre humbje dhe një barazim.

Superliga udhëhiqet nga Vllaznia me 26 pikë, Teuta me 20 pikë në vendin e dytë, Partizani me 19 pikë në vendin e tretë, Laçi në vendin e katërt me 17 pikë, me po kaq pikë është edhe Kukësi i vendit të pestë, Tirana renditet në vendin e gjashtë me 16 pikë, po kaq pikë ka edhe Kastrioti i vendit të shtatë, Bylisi me 11 pikë renditet në vendin e tetë, Skënderbeu me nëntë pikë në vendin e nëntë dhe në vendin e fundit është Apolonia me tetë pikë.

Teuta është ekipi i vetëm që e mbylli këtë pjesë të sezonit, pra 12 javë pa humbje edhe mbanë “rekordin” për barazime, me plot tetë të tilla.

Vllaznia e vendit të parë është ekipi me më shumë fitore, me tetë të tilla, ndërsa Apolonia është ekipi që ka më shumë humbje, tetë humbje në 12 javë.

Sulmi më i mirë është ai i Vllaznisë me 21 gola të shënuar, ndërsa më pak produktivi është sulmi i Apolonisë me tetë gola.

Mbrojtja më e mirë është mbrojtja e Teutës, me pesë gola të pësuar dhe më e dobeta është ajo e Skënderbeut me 26 gola të pësuar.

Golashënuesit më të mirë janë Ardit Hoxhaj (Vllaznia) me gjashtë gola dhe me nga pesë gola janë Agim Ibrahimi (Kukësi), Patric Friday Eze (Kukësi), Devid (Kastrioti) dhe Kyrian Nëabueze (Laçi).

Superliga pritet të rifillojë përsëri në 9 janar, me javën e 13 të saj, me sfidat Kastrioti-Skënderbeu, Partizani-Apolonia, Vllaznia-Teuta, Laçi-Kukësi dhe Bylis-Tirana./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore