Film

Përveç çmimeve fiton edhe vota – Adriana Matoshi deputete


Aktorja dhe deputetja e ardhshme, Adriana Matoshi

Aktorja kosovare, Adriana Matoshi, e cila në zgjedhjet e fundit mori pjesë si kandidate për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka arritur që t’i sigurojë votat e nevojshme për t’u bërë pjesë e përbërjes së ardhshme parlamentare.

 

Ajo arriti të triumfojë duke e kaluar shifrën prej 10.000 votash, fakt ky i cili e bën Matoshin ndër figurat e reja politike më të votuara brenda LVV-së.

Albanian Post ka zhvilluar një intervistë me aktoren, tashmë edhe politikanen, e cila na ka rrëfyer emocionet e para pas kumtimit të lajmit se një ulëse në Kuvend do t’i takojë veçanërisht, Adriana Matoshit.

“Jam shumë e lumtur që qytetarët më besuan votën e tyre, prandaj besoj dhe shpresoj që ti shpërblej ata me një mandat të suksesshëm mbi planet e mia në të mirë të tyre” ka thënë ajo për Albanian Post.

Aderimi i saj në politikë ka ngritur shumë pikëpyetje në publik edhe rreth asaj se kush e hodhi hapin e parë drejt kësaj kandidature të Matoshit.

 

“Nganjëherë gjërat ndodhin spontanisht, atëherë kur as vetë nuk e pret. Ftesa më është bërë nga Albin Kurti dhe pjesëtarë të tjerë të LVV-së, dhe e kam parë të arsyeshme ta pranoj duke e njohur kapacitetin dhe përkushtimin tim, energjinë dhe rëndësinë që unë ju jap punëve që i marr përsipër”, është shprehur Adriana.

Edhe pse kjo është hera e parë që Adriana Matoshi ka kandiduar për të qenë pjesë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ajo me votat e fituara ka arritur të lë pas vetës figura të rëndësishme të Lëvizjes Vetëvendosje.

Disa nga emrat që kanë ngelur prapa Matoshit në zgjedhjet e fundit janë: Xhelal Sveçla, Salih Zyba, Fatmire Kollçaku, Haki Abazi, Dimal Basha e Fitore Pacolli.

“Ndjej përgjegjësi të madhe kur e mendoj se sa shumë punë kemi për të bërë. Për mua është e rëndësishme që kam arritur të marr votat e nevojshme, pastaj pjesa se kush mori më shumë vota e kush më pak, nuk përbën rëndësi për mua”, tha Matoshi.

Sipas Adrianës, është jetike që secili t’i dal zot pozitës si deputet duke qenë se aty përfaqësojnë popullin, “prandaj duhet dhënë maksimumi i gjithsecilit për t’u përkushtuar e për të punuar fortë, për një Kosovë më të mirë”.

Mes tjerash, Adriana Matoshi, thotë se ka shumë ide e plane, të cilat planifikon që t’i realizojë gjatë mandatit të saj si deputete.

“Puna ime kolosale është parë dhe vlerësuar në çdo etapë të jetës sime, ngase unë kur punoj, punoj me shpirt.” është shprehur ajo.

Kandidimi për deputete i Adriana Matoshit kishte ngjallur reagime të shumta në publik.

 

“Ka pasur njerëz që më kanë gjykuar për faktin se sipas tyre, aktrimi dhe politika janë vija paralele. Por, unë besoj fort që puna ime si një deputete e përgjegjshme do të reflektojë fuqishëm, duke i bërë personat që kishin mëdyshje në suksesin tim, të ndryshojnë mendje dhe të shohin të vërtetën që koha do ta nxjerr në pah” ka përfunduar Matoshi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore