Shqipëria

Moti i keq pezullon lundrimin në Vlorë


Përkeqësimi i motit ka sjellë pezullimin e lundrimit të varkave të vogla dhe anijeve të peshkimit në Vlorë.

Anijet e pasagjerëve dhe të transportit do të vijojnë lundrimin normalisht.

“Njoftohen të gjithë drejtuesit e anijeve të peshkimit dhe mjetet e vogla lundruese për situatën e përkeqësuar dhe të merren masat për sigurimin e mjeteve në vendet e akostuara dhe parandalimin e ngjarjeve dhe situatave gjatë datave 17 shtator 2022 deri në datën 18 shtator 2022″, shkruhet në njoftimin zyrtar.

Sipas autoriteteve, përmirësimi i situatës meteorologjike të përkeqësuar në gjirin e Vlorës dhe jashtë saj për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas datës 18 shtator.

Më herët, Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) ngriti alarmin për intensitetin e reshjeve.

“Në qarqet Kukës, Dibër, Durrës, Tiranë, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Kukës, Dibër dhe Durrës”, vërente njoftimi i IGJEUM-it.

Instituti theksonte gjithashtu se në qarqet Shkodër, Lezhë, Kukës, Dibër, Durrës, Tiranë, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër si rezultat i reshjeve intensive pritet të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore