Lajme

Amerikanët po shpërngulen në Evropë, shkak rritja e kostove


Të shtyrë nga rritja e kostos së jetesës, më shumë amerikanë po zhvendosen në Evropë.

Italia, Portugalia, Spanja, Greqia dhe Franca janë ndër destinacionet më të njohura.

Sotheby’s International Realty ka zbuluar se kërkesat nga amerikanët që kërkonin të transferoheshin në Greqi u rritën me 40 për qind në periudhën prill-qershor krahasuar me një vit më parë.

Në Francë dhe Itali, kërkesa është më e larta që ka qenë në të paktën tre vjet, sipas specialistit të pasurive të paluajtshme Jack Harris.

Pensionistët dhe të pasurit kanë qenë tradicionalisht blerësit kryesorë amerikanë të pasurive të paluajtshme në Evropë.

Por banesat relativisht të lira dhe rritja e punës në distancë e kanë bërë kontinentin tërheqës për një gamë më të gjerë njerëzish, duke përfshirë ata që janë më të rinj dhe e shohin veten të pavlerë nga tregu i banesave në vendin e tyre.

Rritja e nivelit të krimit në disa qytete të SHBA-ve dhe ndarjet politike kanë bërë që amerikanët të kërkojnë një mënyrë jetese më të qetë, të nxitur nga një euro që po barazohet me dollarin amerikan për herë të parë në më shumë se 20 vjet.

Për 40-vjeçaren Stephanie Synclair, në Atlanta, blerja e një shtëpie në Itali ishte një ëndërr e kahershme që u realizua këtë prill.

Duke paguar tre mijë dollarë në muaj për të marrë me qira një shtëpi me katër dhoma gjumi për veten dhe djalin e saj në Atlanta, ajo e kishte të pamundur të rritej dhe të bëhej pronare shtëpie pasi çmimet u rritën.

Edhe pse kishte 300 mijë dollarë para në dorë.

Ajo iu drejtua Italisë, ku mundi të blinte një shtëpi 3 mijë e 100 metra katrorë në Mussomeli, Siçili, si dhe një shtëpi më të vogël në vendin fqinj dhe një vitrinë 800 metra katrorë.

Të gjitha për 60 mijë euro.

“Nuk do të kisha kërkuar kurrë të blija në Itali nëse tregu në SHBA nuk do të ishte kaq i çmendur”, ka thënë sipërmarrësja.

Çmimi mesatar i një shtëpie në Atlanta arriti në 404 mijë e 575 dollarë më 30 qershor, 19 për qind më shumë se një vit më parë.

“Rritja e kostos së jetesës e ka bërë më të shtrenjtë të jetosh në çdo qytet të madh të SHBA-ve se sa në qytetet evropiane”, ka thënë Michael Witkowski, nënkryetar i konsulencës ndërkombëtare të emigrantëve me bazë në SHBA, ECA International.

“Çmimet e shtrenjta të shtëpive, si dhe një dollar i fortë amerikan dhe tensionet politike janë të gjithë faktorë që kontribuojnë në joshjen në rritje të Evropës”, ka shtuar ai.

Por nuk është gjithmonë e lehtë të zhvendosesh në një vend tjetër.

Ka kërkesa për viza dhe situata tatimore mund të jetë e ndërlikuar dhe e kushtueshme.

SHBA-të i taksojnë të gjithë qytetarët e vet, pavarësisht se ku jetojnë dhe puna në distancë për një kompani amerikane në një vend tjetër mund të krijojë shtesa tatimore.

Për të adresuar disa nga këto çështje, Italia do të fillojë të ofrojë një vizë për punë në distancë për të huajt këtë vit, të cilën Synclair shpreson ta marrë.

Qeveria prezantoi gjithashtu një program në vitin 2019 për shitjen e shtëpive prej një euro në zonat rurale për blerësit e huaj, të cilët do të paguanin për rinovimet dhe do të nxisnin ekonominë lokale.

47-vjeçarja Cathlyn Kirk, me bazë në Majami, përfundoi duke blerë një shtëpi me tre dhoma gjumi, trekatëshe, në Mussomeli, i njëjti fshat me Synclair, për 37 mijë euro.

Duke planifikuar të dilte në pension pas dy vitesh, oficerja e Sigurisë Kombëtare donte të transferohej në një vend ku do të mund të jetonte rehat me një pension publik.

“Edhe pse do të dal në pension në moshën 50-vjeçare, ende mund të jetoj një jetë të mirë, të mbushur me udhëtime dhe ushqim të mirë”, ka thënë Kirk.

“Jo shumë njerëz mund ta bëjnë këtë”, ka shtuar ajo.

Gadishulli Iberik është bërë gjithashtu një destinacion popullor.

Sipas të dhënave të qeverisë, numri i amerikanëve që banojnë në Portugali u rrit 45 për qind në vitin 2021 nga viti i kaluar.

Në Spanjë, numri i banorëve të lindur në SHBA u rrit 13 për qind midis viteve 2019 dhe 2021. Sakaq, kërkesa ka vazhduar të rritet këtë vit, sipas Alejandra Vanoli, drejtoreshë e agjencisë spanjolle të pasurive të paluajtshme Viva.

Për të tërhequr blerës të huaj, Portugalia dhe Spanja ofrojnë të dyja të ashtuquajturat “viza të arta”. Ato janë programe që japin të drejta qëndrimi bazuar në një investim fillestar prej 350 mijë euro dhe 500 mijë euro, respektivisht.

Për 37-vjeçaren Jamie Dixon, shpërngulja në Portugali nga Los Angeles korrikun e kaluar me vajzën dhe burrin e saj u mundësua nga kalimi në një punë në distancë dhe marrja e një vize qëndrimi të përhershëm që kërkonte të kishte një qira, një llogari bankare dhe sigurimit shëndetësor në vend.

Puna e re në distancë e lejoi atë të largohej nga qyteti dhe të shpërngulej në një apartament me tre dhoma gjumi, tre banja, me 2 mijë euro në muaj, në Cascais, një qytet bregdetar me një popullsi të madhe emigrantësh.

Përveç kostos së lirë të jetesës, Dixon tani ka akses në një komunitet më të gjerë ndërkombëtar shumëgjuhësh dhe më pak stres në lidhje me shkallën e krimit ose politikën.

“Dhuna është rritur shumë në SHBA. Doja t’i jepja fëmijës tim një fëmijëri normale”, ka thënë ajo.

Marrë nga “Bloomberg”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore