Aplikacione

Musk kërcënon me anulim të marrëveshjes me Twitter-in


Elon Musk ka akuzuar Twitter-in se ka kryer shkelje të marrëveshjes së tij prej 44 miliardë dollarësh për të blerë kompaninë.

Po ashtu, ka kërcënuar se do ta ndërpresë marrëveshjen.

Avokatët e tij i kanë shkruar Twitter-it dhe e kanë akuzuar atë për refuzimin e dhënies së informacionit të mjaftueshëm në lidhje me numrin e përdoruesve të rremë në shërbim.

E gjitha si pjesë e një mosmarrëveshjeje mbi numrin e llogarive të padëshiruara dhe false që popullojnë platformën.

Në një letër drejtuar shefit ligjor të Twitter-it, Vijaya Gadde, avokatët kanë thanë se ai besonte se kompania po “rezistonte në mënyrë aktive dhe po pengonte” të drejtat e tij për të hyrë në të dhëna dhe informacion nga kompania sipas marrëveshjes.

Në letër është shkruar se Twitter-i nuk kishte dhënë informacionin e kërkuar nga Musk që nga 9 maji, duke shtuar se një përgjigje zyrtare nga platforma e mediave sociale më 1 qershor ishte e pamjaftueshme.

Ekipi ligjor i Musk-ut argumenton se dështimi, për të dhënë informacion në lidhje me llogaritë e rreme, shkel një besëlidhje në marrëveshje, një premtim për të vepruar në një mënyrë të caktuar gjatë procesit të shitjes, gjë që do ta lejonte atë të largohej nga marrëveshja.

Sipas tyre, metodat e platformës për testimin e llogarive të rreme ishin të dobëta dhe se Musk-u kishte nevojë për të dhëna nga kompania për të kryer analizën e tij.

Refuzimi i kompanisë për të bashkëpunuar, ka shfaqur një shqetësim për atë që mund të zbulonte analiza e Musk-ut.

Kështu, letra është përmbyllur me paralajmërimin se Musk-u ka rezervuar të gjitha të drejtat sipas marrëveshjes, duke përfshirë të drejtën për t’u larguar nga marrëveshja.

Twitter-i, nga ana tjetër, ka deklaruar se vazhdon të bashkëpunojë me Musk-un.

“Twitter-i do të vazhdojë të ndajë në mënyrë bashkëpunuese informacione me Musk-un për të përfunduar transaksionin në përputhje me kushtet e marrëveshjes”, ka thënë.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore