Lajme

Sveçla – Tahirit: ‘Unë s’blej allti me para të shtetit’


Xhelal Sveçla dhe Abelard Tahiri.

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla në seancën e Kuvendit të Kosovës është përplasur me shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Ata duke debatuar për statistikat për luftimin e krimit dhe korrupsionit, Svecla dhe Tahiri kanë lëshuar akuza ndaj njëri-tjetrit.

Ministri Sveçla tha se ai nuk blen armë zjarri me para të shtetit, sikurse ka bërë Tahiri sa ka qenë shef i kabinetit të ish-kryeministrit Hashim Thaçi.

“2019 ka pasur më shumë arrestime të opozitës se kriminelëve të lartë. Fundi i fundit, asnjë skandal të qeverisë nuk e kemi pasur. Unë nuk blej allti me para të shtetit dhe pastaj mos ta kthej kur e lëshon pozitën”, tha ai.

Por deputeti opozitar Abelard Tahiri, theksoi se ministri Sveçla do të mbahet mend vetëm për nepotizëm.

“Je një prej ministrave që do të mbahesh mend në fillim të mandatit për punësimin e akrabave, motrave e vëllazërive. Më shumë mbahesh mend për famljarizëm sesa për angazhim në fuqizimin e rendit publik. Ky është një problem shumë i madh i juaji. Krejt çka të njohin ty, punësimi i motrës, i vëllait, dhëndrit. Këto janë çështjet për të cilat flet qytetari, media dhe opozita për ty, jo fuqizimi i rendit publik”, është shprehur Tahiri.

Ai ka kritikuar qeverinë për klasifikimin si sekret të Fondit të Sigurisë, duke thënë se nëse janë mbledhë më shumë se 2 milionë euro deri tani në këtë fond, ai do ta lërë mandatin e deputetit.

“Ju dështimin e madh, vjedhjen e madhe në kohë krizë energjetike, për ta mbuluar atë lajm jeni quar duke thënë se po e themeloni Fondin e Sigurisë. Nëse janë dhënë mbi dy milionë euro në Fondin e Sigurisë deri në këto momente, unë e lë mandatin e deputetit”.

“As dy milionë euro nuk janë mbledhur. Kë do ta fajësoni, shoqërinë a? Për 80 ditë prej që është themeluar fondi do të duhej minimumi nja 20 milionë euro të mblidhen. Klasifikimi si sekret të fondit të sigurisë është gabimi më i madh që keni bërë, ai do të duhej të ishte fond i krenarisë”, ka thënë ai.

Sipas tij, kryeministri dhe kabineti i tij do të duhet të jepnin shembull për qytetarët.

“Kur erdhën vaksinat kryeministri dha shembull i pari duke e marrë i pari vaksinën. Por kur u themelua fondi, do të duhej me qenë prapë një simbolikë, do të duhej me qenë prapë kryeministri ta japë rrogën i pari duke thënë unë së bashku me kabinetin qeveritar pagat e prillit do t’i derdhim në fondin e sigurisë”.

“Nuk e bën, pritëm një angazhim parlamentar edhe prej mazhorancës, të vetëdijesohen qytetarët dhe të vazhdojnë si grup parlamentar ta japin nga një rrogë për fondin e Sigurisë”, përfundoi Tahiri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore