Kosova

Ndezja e flakadanëve dhe koncerti në Skënderaj shënojnë përmbylljen e Epopesë së UÇK-së


Shoqëruar me këngë e poezi, në një koncert të organizuar në nder të ditës së fundit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në sheshin e Skenderajt “Adem Jashari” u përkujtuan të 56 anëtarët e familjes së komandantit Jashari.

Në mesin e shumë pjesëmarrësve, të pranishëm në organizim ishin edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj si dhe anëtari i familjes së komandantit, Rifat Jashari, bashkë me të parin e komunës së Skenderaj, Fadil Nurën.

Po ashtu, në ditën e fundit të Epopesë në Prekaz, më 7 mars, janë ndezur edhe flakadanët që simbolizojnë përhapjen e lirisë në të gjithë vendin.

Në nder të Epopesë së UÇK-së, kompleksin memorial “Adem Jashari”, e kishin vizituar edhe krerët e shtetit, përfshirë, Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanin, kryeministrin, Albin Kurti e kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.

Vjosa Osmani – Presidente e Republikës së Kosovës.

“Sulmi ndaj familjes Jashari është dëshmi e një ndër masakrave më të tmerrshme të kryera nga regjimi i Serbisë’, ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Prekaz, të dielën e 6 marsit.

Sipas Osmanit, “ata u sulmuan në shtëpinë e tyre ku shumica dërmuese e familjarëve që u vranë ishin gra dhe fëmijë, që tregon se kjo ishte ndër masakrat më të tmerrshme të kryera nga regjimi gjenocidal i Serbisë për të cilën fatkeqësisht akoma nuk ka drejtësi”.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka potencuar se “po i nderojmë të rënët e familjes Jashari në krye me komandantin legjendar Adem Jashari”.

Krerët e shtetit.

“Një moment i cili jo vetën që ktheu të gjithë kombin në një ushtri dhe të gatshëm për ta dhënë jetën, por e cila sakrificë e cila e lëvizi botën demokratike dhe aktivizoi faktorin ndërkombëtar që të besonte në kauzën tonë të drejt”, ka thënë Konjufca.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka cilësuar si luftë mbrojtëse dhe se drejtësia dhe e vërteta nuk mund të tjetërsohen.

“Ky nuk ishte sulmi i parë ndaj Jashrajave, ata ishin sulmuar nga Serbia që udhëhiqej nga regjimi i Millosheviçit edhe në dhjetor të viti 1991 dhe janar të vitit 1998, dhe të gjitha këto sulme ndaj Jashrajave ishin ndërmarrje e përbashkët kriminale e Serbisë, UÇK ka bërë luftë mbrojtëse dhe drejtësia dhe e vërteta jonë nuk mund të tjetërsohen as nga deformimet që vijnë e as nga mohimet që bëhen”, pohoi Kurti.

Disa prej grave dhe fëmijëve, anëtarë të familjes Jashari.

Mes netëve të  4 dhe 5 marsit të vitit 1998, regjimi serb i Sllobodan Millosheviç-it kishte ndërmarr një sulm të gjerë në Prekaz të Drenicës, për të “zhdukur” Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përkatësisht drejtuesin e saj, komandantin Adem Jashari, por kjo betejë u kthye në gurthemel të lirisë dhe shtetit të Kosovës.

Ngjarjet e fillim marsit të vitit 1998 do të mbeten një dëshmi e gjallë për botën perëndimore dhe për vetë historinë e Kosovës.

Pamjet e para pas sulmit serb në familjen Jashari.

Në sulmin serb i cili zgjati deri më 7 mars 1998, mbetën të vrarë 55 njerëz, ku ndër ta kishte rënë heroikisht komandanti, Adem Jashari së bashku me 22 anëtarë të familjes së ngushtë, në mesin e tyre gra dhe fëmijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore