Lajme

Stoltenberg: S’largohemi nga Afganistani para kohe


Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Atlantikut të Veriut (NATO-s) Jens Stoltenberg, hapi dyert për aleancën duke mbajtur forcat në Afganistan përtej afatit të majit kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin premtuar të hiqnin 2 mijë e 500 trupat e saj të mbetura nga vendi.

“Ndërsa asnjë aleat nuk dëshiron të qëndrojë në Afganistan më gjatë sesa është e nevojshme, ne nuk do të largohemi para se të jetë koha e duhur”.

Ministrat pritet të diskutojnë në lidhje me trupat e SHBA-së dhe NATO-s në takim, por arritja e një vendimi të shpejtë mbi Afganistanin mund të jetë e vështirë duke pasur parasysh që administrata e Biden po shqyrton se si do të ecë përpara.

NATO, tha Stoltenberg, duhet të “gjejë ekuilibrin e duhur midis sigurimit që të mos qëndrojmë më gjatë sesa duhet, por në të njëjtën kohë që të mos largohemi shumë herët”.

Administrata e Biden është vetëm disa javë larg nga nevoja për të marrë një vendim nëse do të përfundojë vendosjen ushtarake gati 20-vjeçare në Afganistan që ka marrë gati 2 mijë e 400 jetë amerikane, pasi ekspertët dhe zyrtarët amerikanë thanë për CNN se nuk ka mundësi të mira në dispozicion dhe shpresa  për të shmangur “katastrofën”.

Një marrëveshje midis Talibanëve dhe SHBA-së, e nënshkruar nga administrata Trump, angazhoi SHBA-në të tërhiqnin 2 mijë e 500 trupat e fundit deri në maj.

Ndërkohë, Kryetari i Afganistanit i Këshillit të Lartë për Pajtimin Kombëtar Abdullah Abdullah-u takua të hënën me diplomatin e lartë të SHBA-së në Kabul, Ross Wilson dhe komandantin Scott Miller.

Abdullah ka shkruar në twitter se kanë shkëmbyer mendime mbi procesin e paqes, raundin e dytë të bisedimeve në Doha, zhvillimet aktuale politike dhe të sigurisë në vend.

Në lidhje me Irakun, Stoltenberg tha se ai pret që ministrat do të bien dakord të “fillojnë një mision të zgjeruar” në vend në një takim.

“Ky mision i zgjeruar do të përfshijë “më shumë trajnime dhe këshillime të personelit aleat në më shumë institucione të sigurisë. Zgjerimi është rezultat i kërkesave nga qeveria irakene”.

Kur u pyet nga një reporter se si do të ndryshojë qasja e administratës Biden ndaj aleancës, Stoltenberg tha se Presidenti Joe Biden, Sekretari i Shtetit Antony Blinken dhe Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin të gjithë kanë shprehur mbështetje të fortë për NATO-n .

“Unë mendoj se nuk është sekret që gjatë katër viteve të fundit kemi pasur disa situata të vështira brenda NATO-s, por tani ne shikojmë drejt së ardhmes”.

“Unë kam biseduar me Presidentin Biden dy herë që nga zgjedhjet, dhe në të dyja ato biseda ai ka qenë shumë i qartë në rëndësinë e rindërtimit të aleancave dhe forcimin e mëtejshëm të NATO-s”.

Ndërsa ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka kritikuar vazhdimisht aleancën dhe pretendoi se anëtarët nuk po shpenzonin sa duhet në mbrojtje.

Aktualisht, misioni i NATO-s vetëm trajnon dhe këshillon anëtarët e institucioneve dhe forcave të Irakut të sigurisë që janë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të qeverisë Irakene.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore