Shqipëria

Takimi Meta-Xhaferi: Çelja e negociatave për Shqipërinë dhe RMV-në, faktor për sigurinë e rajonit


Kreu i Shtetit, Ilir Meta, është takuar ditën e sotme të 11 janarit me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Ai e ka cilësuar këtë takim si “vëllazëror” dhe ka vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërparlamentar.

“Kënaqësi të vlerësonim rëndësinë e thellimit të mëtejshëm, në të gjitha fushat, të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes vendeve tona, veçanërisht të bashkëpunimit ndërparlamentar”, ka shruar Meta në Facebook.

Gjithashtu ka theksuar se çelja e negociatave për të dy vendet do të sillte kontribute konkrete për stabilitetin në rajon.

“Çelja sa më parë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe liberalizimi i vizave për Kosovën do të sillte kontribute konkrete dhe tepër pozitive për konsolidimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon, si dhe për prosperitetin e qytetarëve tanë”, ka shtuar ai.

Sipas tij, është domosdoshmëri “zbatimi i plotë dhe jetësimi integral i Marrëveshjes së Ohrit, si një mundësi e shkëlqyer për konsolidimin e mëtejshëm të paqes e harmonisë ndëretnike, për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona, si dhe për t’u afruar më pranë njëri-tjetrit dhe Bashkimit Evropian”.

Nga ana tjetër, Meta ka theksuar edhe rëndësinë e respektimit të lirive dhe të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

“Me rëndësi respektimi i lirive dhe të drejtave të shqiptarëve, sipas standardeve më të avancuara evropiane, si dhe pjesëmarrja më e madhe dhe më cilësore e tyre, si faktor shtetformues, në jetën sociale, administrative e politike të Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Meta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore