Lajme

SHBA dhe KB dënojnë dhunën në Myanmar


Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kombet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim për protestat në Myanmar.

SHBA-ja ka dënuar dhunën kundër protestuesve në protestat e vazhdueshme kundër grushtit të shtetit.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha se të gjithë kanë të drejtë në lirinë e shprehjes dhe tubime paqësore.

“Ne përsërisim thirrjet tona për ushtrinë që të heqë dorë nga pushteti, të rivendosë qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike, të lirojë të arrestuaritdhe të heqë të gjitha kufizimet e telekomunikimit dhe të përmbahet nga dhuna”.

Kombet e Bashkuara (KB) gjithashtu kanë shprehur shqetësim për dhunën. Në reagimin e kësaj organizate thuhet se përdorimi i forcës kundër demonstruesve është i papranueshëm.

Ndërsa, shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, u shpreh se blloku mund të vendosë sanksione ndaj ushtrisë së Myanmar-it dhe po rishikohen gjitha opsionet.

Grushti i shtetit

Ushtria e Myanmar-it ka marrë në dorë vendin me anë të një grushti shteti, duke arrestuar kancelaren Aung San Suu Kyi dhe pjesëtarë të tjerë të kabinetit. Ky grusht vjen pas disa ditësh tension mbi rezultatin e zgjedhjeve të fundit të nëntorit 2020.

Kancelarja 75 vjeçare Aung, presidenti Win Myint dhe pjesëtarë të tjerë Ligës Kombëtare për Demokraci u arrestuan në rezidencën qeveritare të kryeqytetit, Naypyidaw.

Drejtuesit e ushtrisë deklaruan se kanë marrë kontrollin e shtetit. Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në Myanmar. Pushteti i përkohshëm i ka kaluar gjeneralit Min Aung Hlaing.

Reagimet e ndërkombëtarëve

Grushti i shtetit në Myanmar ka sjellë reagime nga bashkësia ndërkombëtare. Pjesa më e madhe e shteteve, e kanë cilësuar ngjarjen si “goditje e rëndë për demokracinë”.

Nga Washington-i janë shprehur të alarmuar për situatën e raportuar. “SHBA-ja kundërshton çdo përpjekje për të cenuar rezultatin e zgjedhjeve”.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, e ka cilësuar të jashtëligjshëm arrestimin e kancelares Aung San Suu Kyi.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres,ka shprehur gjithashtu shqetësim mbi kalimin e pushtetit tek ushtria.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka dënuar grushtin e shtetit dhe burgosjen e qytetarëve. Të njëjtën gjë ka theksuar edhe Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas.

Reagime ka pasur edhe nga shtetet fqinje me Myanmar-in, të cilat kanë dënuar në bllok aktin. Nga Kina, vjen një thirrje për zgjidhjen e çështjes në mënyrë të ligjshme. Bangladeshi ka kërkuar paqe në Myanmar, duke dhënë ndihmesë për riatdhesimin e popullsisë “Rohingya”, të cilët janë strehuar në Bangladesh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore