Shqipëria

Rama: Në samitin e ardhshëm ftesë për Italinë, Greqinë dhe Hungarinë në “Open Balkan”


“Në samitin e ardhshëm duam të kemi Italinë, Greqinë dhe Hungarinë sepse kemi kuptuar që nuk mjafton për njerëzit tanë të kenë tregti të lirë plotësisht, ata kanë nevojë të kenë edhe më pak pengesa kur mbërrijnë në Bashkimin Evropian”.

Kështu deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë konferencës për shtyp pas nënshkrimit të marrëveshjeve në kuadër të nismës rajonale “Open Balkan” me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, të martën e 21 dhjetorit.

Rama theksoi se ata do të kontaktojnë me këta vende dhe ky proces të bëhet në kuadër të Ballkanit të Hapur, ku më pas synimi është tregu i përbashkët Evropian.

“Kjo është mënyra si ndihmon Ballkani i Hapur. Kush do të na besonte nëse ne nuk tregojmë me vepra se mund të jemi në nivelin e ambicies së BE-së”, e përmbylli Rama fjalën e tij.

Falë marrëveshjeve të “Open Balkan”, qytetarët mund të lëvizin lirshëm për punë, turizëm dhe eksport të lirë mallrash.

Zaev dhe Vuçiç u pritën në Pallatin e Brigadave nga i zoti i shtëpisë, kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama.

Kryeministri shqiptar ishte i pari që mbajti fjalën në tryezën e përbashkët. Ai u pasua nga i pari i Serbisë dhe më pas fjalën e mori i pari i Maqedonisë së Veriut.

Pas tyre, mbajti fjalën e tij edhe komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore