Lajme

Tromp: Specialja t’i lirojë nga paraburgimi ish-krerët e UÇK-së, procesi gjyqësor po shtyhet pafundësisht


Nevenka Tromp, ligjëruese në Universitetin e Amsterdamit dhe hulumtuesja kryesore në ekipin e ndjekjes penale kundër kriminelit serb, Slobodan Millosheviç, ka thënë se Gjykata Speciale duhet t’i lirojë ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë.

Sipas saj, Specialja patjetër duhet ta konsiderojë lirimin nga paraburgimi, pasi që procesi gjyqësor po shtyhet pafundësisht.

“Të akuzuarit në Hagë kanë një vit pa të drejtën për të mos parë paraprakisht dokumentet dhe fillimi i gjykimit vazhdimisht shtyhet, atëherë së paku gjykatësit duhet të kthehen prapa dhe duhet ta rikonsiderojnë lirimin nga paraburgimi, në mënyrë që, në rregull”, tha Tromp për Demokracia.com.

“Ne nuk e dimë se kur procesi gjyqësor do të fillojë e vonesa në fillim të procesit gjyqësor nuk ka të bëjë asgjë me mbrojtjen, por tërësisht me prokurorinë, atëherë së paku t’i lirojë këta të paraburgosur dhe të zhvillojë procesin gjyqësor me ta nën masën e mbrojtjes në liri”.

“Pra, këta persona derisa po presin gjykimin, e që ne nuk e dimë se kur do të fillojë, ky është një element shumë i rëndësishëm për të gjithë ne, për ta marrë këtë gjykatë seriozisht, për ta marrë seriozisht integritetin e procesit gjyqësor, që të fillojë sa më shpejtë që është e mundur”.

Ajo konsideron që nëse ka shtyrje të pafundme, së paku ta rikonsiderojë të drejtën e të akuzuarve për lirim nga paraburgimi dhe të fillojë procesi gjyqësor.

Ndryshe më 15 dhjetor, Ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi i është vazhduar masa e paraburgimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Gregory Keohe

Kjo është bërë e ditur nga avokati i tij, Gregory Keohe, në konferencën për ecurinë e çështjes së Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

“Unë e kuptoj që i nderuari gjykatës ka marrë vendim për mbajtjen në paraburgim sot paradite”, tha Gregory duke shtuar se do të dërgojnë ankesë për këtë vendim.

Avokati i Thaçit gjithashtu ka kërkuar nga Gjykata Speciale një seancë dëgjimore publike për të trajtuar arsyet për mbajtjen në paraburgim të klientit të tij si dhe të Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Sipas tij, Prokuroria në Gjykatën Speciale po bënë komente të maskuara duke përmendur konfidencialitetin dhe duke thënë se Policisë së Kosovës nuk mund të besohet lidhur me garancën se katër të akuzuarit do të respektojnë kushtet e vendosura nga gjykata.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Kransiqi, po mbahen në paraburgim nga nëntori i vitit 2020.

Aktakuza ndaj tyre lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020, ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore