Shqipëria

Automotoparku shqiptar merr “Ok” nga Jean Todt


Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA), Jean Todt, ka treguar mbështetjen e hapur për ngritjen e Automotoparkut të parë shqiptar në Elbasan.

Nëpërmjet një videomesazhi, Todt thotë se ka ndjekur zhvillimet për projektin, të cilin ai e quan “ambicioz”.

“FIA e mbështet këtë nismë, që është në përputhje të plotë me zhvillimin e sportit dhe edukimin e fëmijëve”, tregon Todt. “Veçanërisht, sa i takon sigurisë rrugore”.

Kreu i FIA-s pohon gjithashtu se ka ndjekur edhe ndryshimet ligjore dhe punën e bërë nga Qeveria shqiptare, për të rregulluar sigurinë rrugore. Ai mendon se sot ka një kontroll më të mirë në vend për sa i përket qarkullimit të mjeteve.

Po ashtu, Todt përmend edhe investimet në qendrat e qyteteve apo shkollat, ku dhe lëvizja e mjeteve është më problematike.

Autoparku i Elbasanit

Së shpejti, Shqipëria do të ketë një Autopark.

Lajmin e pat bërë të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nëpërmjet një postimi në Facebook, mëngjesin e 9 gushtit.

Ai e ka cilësuar këtë si “një ëndërr, nga ato që kanë hyrë në rrugën e realizimit”.

Projekti është zhvilluar në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA) dhe po zbatohet nën udhëheqjen e drejtorit të Transportit Rrugor Shqiptar, Blendi Gonxhe.

Përtej kësaj, Rama theksoi asokohe edhe faktin se presidenti i FIA-s, ish-drejtues teknik i Ferrarit, Jean Todt, po kujdeset po ashtu për projektin.

Pista do të jetë 5.3 kilometra e gjatë dhe do të përmbushë çdo standard të vendosur.

Në ndërtesat rreth saj, do të përfshihet edhe një muze “Retro”, si dhe një akademi për restaurimin e mjeteve historike.

Pista do të jetë edhe offroad, duke ofruar një terren të përshtatshëm për dashamirësit e Motocross-it, Trial, Autocross dhe Rallycross.

Një poligon profesional manovrash drejtimi dhe qendra e test-homologimit do të jetë pjesë e kompleksit.

Kartodromi do të ketë mundësi të presë gara si kombëtare, ashtu edhe ndërkombëtare.

Një akademi për formimin e pilotëve do të marrë jetë. Pista do të jetë e përdorshme edhe si heliport. Ndërsa, observatori panoramik do të japë mundësi soditjeje edhe për njerëzit që nuk e preferojnë shpejtësinë.

Qendra e eventeve do të mundësojë zhvillimin e panaireve, konferencave dhe trajnimeve.

Ndërsa për banorët e rajonit, aty do të vendoset edhe qendra e re e kontrollit teknik të automjeteve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore