Lajme

LDK në koalicion me VV për Junikun


Kandidati për kryetar të Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu ka bërë me dije se është nënshkruar marrëveshja ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (VV).

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, Shehu thotë se ditëve në vijim do të publikojnë edhe programin e përbashkët qeverisës 2022-2025.

“LDK Dega në Junik dhe LVV Qendra në Junik, kanë nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit mes tyre. Ditëve në vijim do të publikojmë edhe programin e përbashkët qeverisës 2022-2025, të cilin do e realizojmë deri në fund brenda mandatit tonë të parë qeverisës”, shprehet Shehu.

Gjithashtu, Shehu është shprehur se ky moment është historik për Junikun sepse fitorja me 14 nëntor dhe ndryshimi pas 12 viteve në Junik është i pandalshëm.

“Të bashkuar me Vetëvendosjen në Junik, tanimë kemi shumicën e anëtarëve në Kuvendin Komunal të Junikut (9 nga 15 ose 60 për qind e ulëseve në Kuvendin e Junikut)”, ka shkruar ai në Facebook-un e tij.

Po ashtu, ai thotë se nuk ka dyshim që nuk do ju mungoj edhe përkrahja e nevojshme nga Qeveria e Kosovës, për të realizuar projektet zhvillimore në Junik.

“Kur kësaj i shtojmë edhe mbështetjen pa rezervë që kemi nga mërgata e Junikut, nuk mbetet asnjë dilemë se me 14 nëntor do të konfirmohet fitorja jonë në Komunën e Junikut”, tha ai.

Rikujtojmë se Ruzhdi Shehu në zgjedhjet e 17 tetorit doli i dyti në Komunën e Junikut me 851 vota apo 37,87 për qind.

Ndërsa, kundër kandidati i tij me të cilin do të ballafaqohet në raundin e dytë me 14 nëntor Agron Kuçi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i cili është aktualisht kryetar, kishte arritur të marr gjithsej 1 mijë e 62 vota apo 47,26 për qind, duke dal kandidati më i votuar në Junik.

Kurse, Besart Tofaj nga Lëviza Vetëvendosje i cili tashmë ka nënshkruar marrëveshje me LDK-në për balotazh kish arritur të marr gjithsej 272 vota apo 12,11 për qind.

Junik

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore