Shqipëria

Edi Rama për RTVE: E ardhmja e fëmijëve tanë është në Evropë


Në një intervistë për Korporatën e Radios dhe Televizionit Spanjoll (RTVE), kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ravijëzuar se e ardhmja e shqiptarëve – referuar fëmijëve – është në Evropë.

Duke sjellë në vëmendje situatën e Shqipërisë dhe bllokimit të negociatave me Bashkimin Evropian, kryeministri shqiptar deklaroi fillimisht se kjo nuk vjen prej autoriteteve shqiptare.

Sipas tij, shkak për këtë është mënyra se si po operon BE-ja në rajon.

I pyetur nga RTVE-ja, në lidhje me perceptimin evropian ndaj Shqipërisë, Rama theksoi se janë përmbushur të gjitha kushtet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Shqipëria dhe perceptimi evropian

“Ne meritojmë të ndërmarrim hapa të tjerë dhe të fillojmë negociatat formale”, tha kryeministri gjatë intervistës.

Më tej, Rama tha se ekziston tanimë një ndryshim i madh midis asaj që perceptohet për Shqipërinë, apo shqiptarët dhe realitetit.

Kryeministri shqiptar, në vijim të fjalës së tij, siguroi që vijon puna për reformat e modernizimit të Shqipërisë.

Sa u takon sfidave, Rama përmendi përmirësimin e qëndrueshëm të ekonomive dhe shoqërive në rajon.

Kjo, me ndërtimin e procesit institucional dhe, përfundimisht, me përparimin drejt përmirësimit të mjedisit ekonomik dhe social.

Ndikimi Rusi-Kinë në Ballkanin Perëndimor

Kryeministri e konsideroi Shqipërinë – një organ të trupit evropian – që izolohet nga i njëjti trup, referuar BE-së.

Për kryeministrin Rama, nuk është e përshtatshme për sigurinë ose për të ardhmen e Evropës që kjo pjesë e trupit të mos jetë e integruar plotësisht dhe të jetë në një “zonë gri”, ku mund të veprojnë aktorë të tjerë.

“Ne nuk jemi të shqetësuar me këto ndikime të mundshme, sepse për ne Evropa është feja jonë”, sqaroi Rama.

Shqipëria, sipas tij, ka zgjedhur lirisht që e ardhmja e saj të jetë drejt Evropës.

Kosova nuk është Katalonja

Duke iu kthyer tensioneve në kufi mes Kosovës dhe Serbisë, Rama i konsideroi si “pjesë e një procesi”.

Por, për kryeministrin shqiptar, lajmi i mirë është që tensionet lindin dhe zhduken.

Kjo, ndërsa të dyja palët vijojnë të bisedojnë dhe të përpiqen të gjejnë zgjidhjet e nevojshme për qytetarët e të dyja vendeve.

“Kosova është problemi i fundit i hapur dhe i pazgjidhur i trashëguar nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë. Dhe, pa dyshim, njohja e tij si shtet sovran i pavarur i Serbisë është kapitulli i fundit në historinë e dhimbshme jugosllave”, theksoi Rama gjatë intervistës për televizionin spanjoll.

Pyetjes së RTVE-së, midis ngjashmërisë së Katalonjë dhe Kosovës, kryeministri shqiptar tha se nuk ka asnjë krahasim të mundshëm, në asnjë mënyrë, midis problemeve të brendshme të Spanjës, në lidhje me pavarësinë ose lëvizjet separatiste, dhe ndarjen e Kosovës nga Serbia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore