Lajme

“Lufta për barazi” në Drenicë, mbush muret me mbishkrime vetëdijësuese


Kundër shtypjes së grave dhe në mbrojtje të komunitetit LGBTI, disa mure të hapësirave publike në Drenas u mbuluan me mbishkrime.

“Virgjëria është shpikje e burrave” e “Drenica lind edhe dylbera” ishin disa nga mbishkrimet që aktivistë të Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, i shkruan në hapsira të cilat mund të lexohen nga kalimtarët e rastit.

“Shtypja sistemike e cila vazhdon t’i lërë vajzat e gratë, punëtoret/ët e personat LGBTI+ në gjendje të mjerueshme, nuk do të durohet. Andaj edhe këto mesazhe, përmes përplasjes së të vërtetave të heshtura, thërrasin në revoltë e rezistencë kolektive”, ka shkruar ky grup në Facebook.

“Puna e papaguar e grave e mban shtetin”, “Gra mos iu nënshtroni burrave”, “Virgjëria është shpikje e burrave”, “Drenica lind edhe dylbera” e “Ngacmuesit seksualë janë kriminelë”, janë disa nga shkrimet në muret e Drenasit.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka organizuar edhe protesta të ndryshme në disa qytete të Kosovës, kundër vrasjes së grave.

Protesta e fundit që përfaqësues të kësaj organizatë bënë, me mbështetjen e shumë qytetareve ishte protesta kundër vrasjes së Marigona Osmanit, vajza 18 vjeçe nga Ferizaj e cila vdiq pas dhunës së madhe fizike të cilën ia kishte shkaktuar personi me të cilin kishte bashkëjetuar prej dy muajsh, Dardan Krivaqa. Ky i fundit si i dyshuari kryesor për vrasjen e Marigonës gjendet në paraburgim deri në fillim të procesit gjyqësorë ndaj tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore