Shqipëria

Rriten me 66% lejet e ndërtimit


Instituti i Statistikave (INSTAT) përmes një raporti ka bërë publikimin e shifrave të lejeve të ndërtimit në tremujorin e dytë të vitit 2021 krahasuar me ato të një viti më parë.

Gjatë kësaj periudhe kohore janë miratuar gjithsej 347 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 209 leje të miratuara në tremujorin e dytë 2020. Kjo shënon një rritje prej 66 për qind.

 

Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e dytë 2021, është 544 mijë e 127 metër katror nga 322 mijë e 294 metër katror që ishte në tremujorin e dytë të vitit 2020.

Kjo shënoi një rritje prej 68,8 %.

Në tremujorin e dytë të vitit 2021, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 23,1 miliardë lekë, nga 14,8 miliardë lekë miratuar në tremujorin e dytë 2020, duke shënuar një rritje prej 55,8 %.

Numrin më të lartë të lejeve ndërtimit në tremujorin e dytë e ka pasur qarku Tiranë, pasuar nga Durrësi dhe me zero leje ndërtimi qarku Kukës.

Ndërsa, në tremujorin e dytë të vitit 2021, shifrën më të lartë të lejeve e ka Durrësi, me 100 leje ndërtimi pasuar nga Tirana me 86.

Në krahasim me vitin 2020, në vitin 2021 numri i lejeve të ndërtimit ka pësuar rritje të konsiderueshme.

Pavarësisht pandemisë, lejet e reja të ndërtimit rriten

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2021, lejet e ndërtimit të miratuara shënuan një rritje prej 36.4% në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2020. Në shifra, janë miratuar 251 leje të reja ndërtimi në krahasim me 184 gjatë 12 javëve të para të 2020-ës.

Sipërfaqja e ndërtimit të aprovuar është gjithashtu më e madhe, me plot 79.7%. Rreth 370 mijë metra katrorë më shumë, kanë marrë dritën jeshile për t’u ndërtuar.

Vlera e përafërt e tyre thuajse është dyfishuar, ku nga 13.4 miliardë lekë të miratuara në tremujorin e parë të 2020-ës, këtë vit shënohen 26.6 miliardë lekë, të cilat do të shkojnë për ndërtesa dhe punime inxhinierike.

Në ndarjen e tyre, pjesën më të madhe e zënë ndërtimet për banesa. Rezidencat do të kenë 58.7% të totalit të investimeve. 16.5% do të shkojnë për ndërtesa të tjera jo rezidente. Për punime inxhinierike ndërkaq, do të shkojë 24.8% e vlerës.

Në bazë qarqesh, numrin më të madh të lejeve e ka Tirana, me 72. Durrësi ndjek me 44 leje dhe më pas Fieri dhe Lezha me 26 secila. Lejet më të paketa janë dhënë në Dibër, me vetëm tre. Numër i ulët është edhe në Kukës, Gjirokastër dhe Shkodër.

E njëjta pozitë është edhe për sipërfaqen e ndërtimeve. Mbi 440 mijë metra katrorë janë pjesë e Tiranës. Lezha, edhe pse me më pak leje se Durrësi, ka një sipërfaqe më të madhe ndërtimi me mbi 86 mijë metra katrorë. Durrësi ndërkaq do të shohë mbi 43 mijë metra katrorë ndërtime të reja.

Pesha kryesore mbi vlerën e ndërtimeve bie mbi kryeqytetin, me 15.6 milionë lekë. 2.7 milionë shkojnë për Durrësit dhe 2.1 për Gjirokastrën. Ky i fundit, pavarësisht numrit shumë të ulët të ndërtimeve, vlerën e ka të lartë.

Vlera më e ulët e investimeve është ajo e Beratit, e cila pritet të jetë 74 mijë lekë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore