Muzikë

Pas Bullgarisë, Kosova renditet e dyta në “International Folk Festival Tirana”


Pamje nga performanca e ansamblit përfaqësues të Kosovës

Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Qyteti i Obiliqit” ka rrëmbyer vendin e dytë në garën “International Folk Festival Tirana” (IFFT), një kompeticion i cili ka zgjatur tre ditë dhe brenda të cilit kanë marrë pjesë ansamble përfaqësuese të nëntë shteteve.

Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Qyteti i Obiliqit”.

Në këtë garë internacionale Kosova është përfaqësuar nga AKV “Qyteti i Obiliqit”, përzgjedhja e të cilit është bërë sipas rregullave të FIDAF-it, ansambël i cili ishte themeluar në fund të vitit 2019 dhe që njëherësh është institucion kulturor që funksionon nën ombrellën e Departamentit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Komunës së Obiliqit.

Pamje nga finalja e evenimentit “International Folk Festival Tirana”

Ndër vendet pjesëmarrëse, me të cilat Kosova ishte në garë, ishin Meksika, Polonia, Bullgaria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Shqipëria.

Ansambli i Sofias së Bullgarisë mori vendin e parë, sipas vlerësimit të jurisë profesionale të përbërë nga përfaqësues të shteteve si; Turqia, Bullgaria, Kosova, Maqedonia, Greqia dhe Shqipëria.

Ndryshe, “International Folk Festival Tirana” është një festival që është i pranuar në FIDAF (Federata Ndërkombëtare e Vallëzimit dhe Folklorit), pjesë e të cilit Kosova është anëtare që prej vitit 2014-të, ndërsa Shqipëria është anëtarësuar në vitin 2019.

Grupet folklorike të cilat marrin pjesë në këtë garë, përfaqësojnë shtetet e tyre dhe prezantojnë traditën e tyre, me anë të valleve dhe këngëve.

Ndërkohë, pjesë e eventit ishin edhe vizita dhe aktivitete të ndryshme në vendet turistike të Tiranës, me qëllim promovimin e atraksioneve turistike.

Ky eveniment është organizuar me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe Bashkisë së Tiranës, në ambientet e Amfiteatrit të Tiranës.

Ndërsa, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ndër personalitetet e shumta, nga Kosova morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore