Lajme

Avokati Emmerson kërkon lirimin e Veselit: Ai mendon se po mbahet peng


Në konferencën e radhës në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, dy ish-kryetarëve të Kuvendit, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, avokati i Veselit, Ben Emmerson ka deklaruar se klienti i tij po mendon se po mbahet peng dhe se Prokuroria nuk ka fakte kundër tij.

“Prokuroria kanë thënë hapur se nuk ka prova kundër tij as për kryerje fizike të krimeve, as për bashkëkryerje, as për ndihmë dhe inkurajim, apo marrje pjesë në ndonjë mënyrë tjetër në këto krime”, tha Emmerson.

“Ai mendon në mënyrë të arsyeshme që ai po mbahet peng ndërkohë që Prokuroria po vazhdon të vonojë procesin e përgatitjes për gjykim”.

Megjithatë, prokurorja ka thënë se “i ka përmbushur detyrimet e saj në mënyrë të shpejtë”.

Mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve kërkon listën e dëshmitarëve, Specialja refuzon

Mbrojtja në ecurinë e rastit të Thaçit dhe të tjerëve ka kërkuar nga Prokuroria edhe listën paraprake të dëshmitarëve që do të dëshmojnë gjatë procesit gjyqësor.

“Kërkesa jonë ka të bëjë me konfirmimin se kush dëshiron të thirren në gjykim apo cilët nuk dëshirojnë të dëshmojnë. Kemi marrë dëshmi në formë transkripti nga procese jashtë këtij institucioni. Do të donim të dinim nëse këta dëshmitarë do të thirren nga prokuroria për të dëshmuar apo jo. Propozojmë që Prokuroria të përgatis një listë për këtë qëllim”, ka thënë avokati i Thaçit, Miseqit.

“Po kështu kemi kërkuar nëse mund të na e nxjerrin një listë paraprake brenda datës 2 gusht kur do të identifikohen dëshmitarët”.

Por, ZPS-ja e ka refuzuar këtë kërkesë të avokatëve.

“Janë përmendur qindra dëshmitarë të mundshëm por kjo kërkesë që bëhet duket se është komplet jashtë kontekstit dhe pa pasur parasysh veçoritë tona gjyqësore”, ka thënë Prokurorja e rastit.

Prokurorja theksoi po ashtu se po hasin në vështirësi sa i përket nxjerrjes së materialeve dhe se “janë nxjerrë 10 paketa sa i përket çështjes së nxjerrjes së informacioneve”.

“Ka pasur një kërkesë shtesë për masa mbrojtëse që do të dorëzohet nesër, kjo lidhet me provat materiale që lidhen me dëshmitarët”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se më 27 gusht ZPS-ja do të parashtrojë kërkesë për masa mbrojtëse.

Avokati i Thaçit: Prokuroria nuk është gati për gjykim

Ndërkaq avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Luka Misetiç, është shprehur i habitur se si Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk është ende gati për t’i kryer përgatitjet e nevojshme përpara gjykimit.

Ai tha se “Prokuroria kishte kërkuar që këtë muaj të niste gjykimi, ndërsa ende nuk janë gati”.

“Ne duam të shprehim çudinë tonë që ende janë në përgatitje këto raporte ekspertësh. Në nëntor, ZPS-ja tha se nuk kishte asnjë arsye pse të mos fillonte gjyqi këtë muaj, dhe tani po na thuhet që janë ende në përgatitje, tri raporte ekspertësh dhe se nuk do të jenë gati për afatin e përcaktuar”, tha Misetiç.

Ai i kërkoi gjykatësit Nicolas Guillou, ta përcaktojë një afat në mënyrë që Zyra e Prokurorit të Specializuar të kushtëzohet që t’i kryejë detyrat e saj më shpejt.

Gjykatësi Guillou, ka propozuar që konferenca e ardhshme për ecurinë e çështjes ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit të zhvillohet më 13 ose 14 shtator.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi akuzohen se si drejtues të UÇK-së kishin kryer krime kundër njerëzimit gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Katër krerët e UÇK-së po mbahen në paraburgim në Hagë që nga koha e konfirmimit të aktakuzës, nëntor 2020.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore