Shqipëria

“Amantia surprizon përsëri”


Ekipi i arkeologëve të Parkut Arkeologjik të Amantias, në Vlorë, u befasua pas zbulimit të një varri të lashtë monumental, për të cilin mendohet se daton që nga Shekulli III para erës sonë.

Nga Drejtoria Rajonale Trashëgimisë Kulturore (DRTK), drejtori Orgest Feimi, për Albanian Post (AP) tregon sesi ranë në gjurmët e varrit antik.

Pas gërmimeve, të vazhdueshme në këtë park arkeologjik, arkeologët pikasën disa blloqe të zhvendosura.

“Menjëherë hartuam një plan gërmimi”, thotë Feimi, “me mendimin se aty mund të kishte një varr monumental”.

Pas gërmimeve, të cilat zgjatën tetë javë me koordinimin e Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, DRTK-së Vlorë dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, “ia dolëm të zbulonim varrin”.

Në 2020-ën, arkeologët kanë kryer gërmime në një zonë të qytetit antik të Amantias.

Sipas DRKT-së, bëhej fjalë për dy varre, një që i përket Periudhës Ilire dhe një varr i Periudhës Osmane.

Çfarë ka të veçantë?

Në vijim të bisedës telefonike, drejtori shpjegon se, ndryshe nga varret e tjera të zbuluara deri më tani, ky varr monumental ka ruajtur tërësisht strukturën arkitektonike.

“Varri, i cili i përket tipit të mbuluar me qemer, është një ndër ekzemplarët e rrallë të këtij tipi, që i ruan pothuajse të gjithë elementët arkitektonike. Përmasat e mëdha, veçoritë në elementët e ndërtimit, si dhe veçoritë në elementët e mbulimit i japin monumentit vlera unike”, thotë ai.

Moment nga procesi i gërmimeve të ekipit të arkeologëve në Parkun Arkeologjik të Amantias
Varri monumental, i zbuluar në Parkun Arkeologjik të Amantias

Gjithashtu, e veçanta është se ky varr u gjet në një pjesë ku “nuk ishin hasur zbulime të mëparshme”.

I pyetur se çfarë ndryshon për ekipin e arkeologëve me këtë zbulim, nga ai i vitit të kaluar, ai thotë se “zbulimet kanë qenë në pjesën e metropolit të Amantias”.

Ndërsa në zbulimin e radhës, “blloqet e gjetura, jo në qendër të Amantias, nuk dihet se mund të kenë qenë mbrojtje e varrit, apo strukturë dekorative e tij”.

Feimaj, thotë për AP-në se, “për fat të keq, gjetjet brenda në varr nuk ndodheshin në gjendje të mirë”.

Ky zbulim do të jetë një vlerë e shtuar e itinerarit të turistëve.

Falë kësaj gjetjeje, monumenteve unike të Parkut Arkeologjik të Amantias tashmë i shtohet edhe një tjetër pikë për t’u vizituar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore