Lajme

Regjistri i abuzuesëve seksual, sipas juristëve metodë jo efektive


Dhuna seksuale e paraqitur së fundi në Kosovë, ka bërë që të fillojë një nismë për regjistrimin e abuzimeve seksuale.

Kjo nismë, është filluar nga kryeredaktorja e Grazetës, Eurisa Rukovci, e cila i drejtohet Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës dhe ka për qëllim që emrat e dhunuesve seksual të bëhen publikë për qytetarët.

Një regjistër publik sipas Rukovcit është praktikë në shumë vende të botës, për shkak se ofrohet siguri më e madhe.

“Ofron siguri më të madhe për komunitetin duke siguruar monitorim të rasteve dhe parandalim”.

“Qëllimi i peticionit është që të krijohet një sistem për monitorimin e abuzuesve seksualë në mënyrë që komuniteti të ketë siguri më të madhe”, thotë ajo

Ajo potencon se “Regjistrat e tillë sigurojnë parandalim të përgjithshëm të dhunës seksuale sipas studimeve të shteteve ku regjistrat e tilla janë funksionale, si p.sh në Shtet e Bashkuara të Amerikës, Irlandë e në tjera vende të botës”.

Mirëpo, jo ngjashëm po thonë edhe njohës të fushës juridike.

Anton Nrecaj, këshilltar i lartë në Qendrën për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Rajonal në një intervistë për Albanian Post, thotë se nuk ka mundësi që të bëhet një sistem ku mund të publikohen emrat e personave të cilët kanë bërë vepra penale.

“Sa i përket pjesës dhe kërkesës e iniciativës që ka të bëjë me krijimin e një sistemi ku mund të publikohen emrat e personave të cilët kanë bërë vepra penale të abuzimeve dhe ngacmimeve seksuale, konsideroj që është e pamundur, sepse ne nuk mund të kopjojmë sisteme të tjera”.

Sipas Nrecaj, akuzimet për krime seksuale, i nënshtrohen procesit gjyqësorë dhe në bazë të saj merret ndëshkimi.

“Të ekzistojë një listë e tillë është njëjtë si të linçohen personat qytetarët për një vepër të pahijshme, këto kohëra i takojnë kohërave të mesjetës ku personat të cilët kanë bërë vepra të pahijshme janë linçua dhe lëçit nga shoqëria për shkak se janë efekt i dëmshëm për shoqëri dhe infektojnë shoqërinë më imoralitet.

“Ne jetojmë në shekullin 21 dhe i nënshtrohemi standardeve evropiane dhe ndërkombëtare ku respektohen të drejtat e njeriut”, thotë Nrecaj.

Edhe sipas aktivistes Leonida Molliqaj, nga Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA) një formë e tillë po konsiderohet si jo funksionale.

“Unë jam kundër një forme të tillë, mekanizmi të tillë apo menaxhimi të një mekanizimi të tillë. Sepse konsideroj që nga përvoja e kaluar të i shohim regjistrat se si kanë funksionuar në Amerikë ku janë të viteve të 90ta në funksion shohim që mos funksionalizimi i regjistrave nuk është që ka sjellur një rezultat në uljen e rasteve të ngacmimeve”.

Tutje Molliqaj thotë se dënimi maksimal për të gjithë personat që kryejnë vepra të tilla sigurisht që duhet të ekzistojë në mënyrë ligjore.

“Secili person që kryen sulme të tilla seksuale duhet të marrë dënimin sipas ligjeve në Kosovë, ne tashmë jemi pjesë edhe e Konventës së Stambollit i cili sheh mekanizma shumë të qartë të veprave të tilla. Ne jemi për dënim të këtyre personave, por ne nuk jemi për ndëshkim publik”.

Policia e Kosovës, në një përgjigje për Albanian Post bën të ditur se nga 1 janari i vitit 2021 deri me datën 30 prill janë raportuar 28 raste të dhunimit, 20 raste të ngacmimit seksual dhe 21 sulme seksuale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore