Lajme

Nga Jeruzalemi në Gaza…Trupat izraelite avancojnë


Ushtria izraelite, të premten e 14 majit, tha se ka filluar bombardimin më intensiv të operacionit të saj ushtarak pesëditor në Rripin e Gazës. Ajo ka shtuar zjarr tankesh dhe artilerie nga toka në fushatën e saj të sulmeve ajrore, ndërsa numri i të vdekurve nga kriza vazhdon të rritet.

Lidhur me përdorimin e një fushate të tillë, ushtria izraelite tha se qëllimi i sulmeve ishte shkatërrimi i një rrjeti të hollësishëm tunelesh nën lagjet e banuara të përdorura nga Hamas-i, grupi i armatosur që qeveris Gaza-n.

Futja e forcave tokësore ishte një zgjerim i ofensivës izraelite, e cila ka rezultuar në bombardimet më të rënda të Gazës që nga lufta 50 ditore midis Izraelit dhe Hamasit në 2014.

Sakaq, nga dëshmitë e familjeve palestineze, ata janë larguar nga frika e një ndërhyrjeje të mundshme izraelite në rrugë tokësore. Disa familje, që jetojnë afër kufirit me Izraelin, duke përfshirë qytetin Beit Hanoun, në Rripin Verior të Gazës, iu drejtuan shkollave të Kombeve të Bashkuara që po përdoren si strehimore.

Kombet e Bashkuara cilësuan të enjten se, të paktën 1 mijë e 750 banorë të Gazës, ishin zhvendosur nga bombardimet.

“Kjo është hera e parë në jetën time që përjetoj diçka të tillë”, tha një burrë në Beit Hanoun.

PHOTO: MAHMUD HAMS/AGENCE FRANCE-PRESSE/GETTY IMAGES
Bilanci

Një total prej 119 palestinezësh janë vrarë që nga fillimi i operacionit në fillim të kësaj jave, duke përfshirë 31 fëmijë dhe 19 gra, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.

“Të paktën 830 njerëz janë plagosur”, tha Ministria.

Tetë izraelitë kanë vdekur, duke përfshirë një ushtar të vrarë nga një raketë antitank dhe një grua të moshuar që vdiq, duke vrapuar në një strehë bombe brenda natës, sipas ushtrisë.

Izraelitët e tjerë u vranë nga raketat e Gaza-s.

Forcat tokësore izraelite kanë lëvizur përgjatë kufirit me Gazën, por nuk kanë hyrë në territorin palestinez, sipas zëdhënësit ushtarak izraelit, Jonathan Conricus.

Natën e kaluar, Conricus tha se trupat izraelite kishin hyrë në Gaza, por më pas e tërhoqi deklaratën.

Sekretari i Përgjithshëm i KB-ve, Antonio Guterres, bëri thirrje për një armëpushim brenda natës, duke kërkuar një ndalim të luftimeve, për respekt të festës së Eid Al-Fitr, e cila shënonte fundin e muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit.

“Shumë civilë të pafajshëm tashmë kanë vdekur. Ky konflikt mund të rrisë vetëm radikalizimin dhe ekstremizmin në të gjithë rajonin”, tha Guterres në një tweet.

PHOTO: MOHAMMED ABED/AGENCE FRANCE-PRESSE/GETTY IMAGES
Komunikimet

Izraeli ka refuzuar publikisht një armëpushim me Hamas-in, ndërsa grupi militant ka dërguar sinjale të përziera. Natën e kaluar, udhëheqësi i Hamas-it, Saleh al-Aruri, tha në një intervistë televizive se grupi kishte hedhur poshtë një propozim për një pauzë treorëshe në luftime.

Në fillim të kësaj jave, Ministria e Jashtme e Rusisë tha se një udhëheqës tjetër i Hamas-it, Mousa Abu Marzook, ishte gati për një armëpushim të ndërsjellë.

Operacioni izraelit në Gaza ka rezultuar në shkatërrimin e ndërtesave komerciale dhe banesave, duke përfshirë ndërtesa shumëkatëshe në zemër të qytetit të Gazës.

Dy nga ndërtesat strehuan zyrat e organizatave lokale dhe të huaja të lajmeve, duke përfshirë transmetuesin me qendër në Londër “Al-Araby” dhe gazetën e lidhur me Autoritetin Palestinez “Al-Hayat” “Al-Jadida”, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve me bazë në New York.

Ushtria izraelite tha se dy ndërtesat strehonin zyrat ushtarake dhe inteligjencën e Hamasit.

Conricus tha se ushtria po ndërmerrte hapa për të mbrojtur civilët. Ai nuk pranoi të thoshte se si Izraeli mund të mbronte civilët ndërsa godiste tunele nën lagjet e banuara në Rripin e Gazës.

Përshtatur nga Wall Street Journal për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore