Kosova

120 kosovarë të mbetur ne Siri: Pandemia shtyn riatdhesimin e tyre


Ministria e punëve të brëndshme të Kosovës ka raportuar se 120 shtetas kosovarë janë të mbetur në kampet e Sirisë. Këshilltari i ministrit  të Punëve të Brendshme, ka deklaruar se riatdhesimi i tyre është shtyrë nga pandemia e koronavirus-it.

Kthimi i tyre ishte programuar pas prillit të 2019-ës, bashkë me grupin e parë të 110 kosovarëve të kthyer nga Siria.

Në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, çdo qytetar ka të drejtë të kthehet në Kosovë, por kjo nuk garanton se ndaj tyre nuk do të ketë procese ligjore.

Në kuadër të Strategjisë kombëtare kundër terrorizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm, qeveria ka përcaktuar masat e parandalimit, mbrojtjes, ndjekjes dhe reagimit, ndaj atyre që kthehen.

Përfaqësuesja e Qendres Kosovare për Studimet e Sigurisë (QKSS),Teuta Avdimetaj, ka njoftuar që drejt Sirisë dhe Irakut kanë udhëtuar rreth 400 kosovarë që nga viti 2012. Me shumë se 70 prej tyre raportohen se janë vrarë duke luftuar krah organizatave terroriste.

Sipas Institutit të Kosovës për Studime Ndërkombëtare (IKSN) shtetasit e Kosovës në Siri, janë të ndarë në dy grupe.

Një grup me 70-80 persona janë të vendosur në kampet e refugjatëve, Al-Hol dhe Roj. Këto dy kampe, në verilindje të Sirisë, drejtohen nga autoritetet kurde. Në to gjenden dhjetëra mijëra njerëz që më parë jetonin  në Shtetin Islamik para disfatës së tij territoriale.

Grupi tjetër me rreth 50 persona gjenden në zonat e kontrolluara nga al-Nusra apo fraksionet e tjera që nuk kanë qenë pjesë e Shtetit Islamik. Pra ata janë të lirë në qytete, e fshatra që kontrollohen nga Al-Nusra apo Al Arasham./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore