Shqipëria

Mbetjet e çiftit vlonjat të “ngrira”, vendi i vrasjes dhe dëshmia e fqinjes


Detaje të reja dalin në dritë për vrasjen makabre të çiftit vlonjat Shpëtim dhe Teuta Pasho, ndërkohë që mjekësia ligjore kërkon të rikrijojë një dinamikë të saktë të mënyrës si u vranë, si iu prenë trupat dhe si u hodhën në fushën pranë burgut të Sollicciano-s.

Trupat e Shpëtim dhe Teuta Pashos mund të jenë prerë nga një person profesionist, i cili më pas i ka trajtuar me solucione të ndryshme dhe i ka ngrirë për të mos lejuar asnjë pikë gjaku të rrjedhë prej mbetjeve të çiftit.

Këto janë hamendësimet e ekspertëve të kriminalistikës dhe mjekësisë ligjore italiane, të cilët po përpiqen të rikrijojnë një dinamikë të vrasjes së çiftit, vendit të ngjarjes, kohës, mënyrës si u prenë trupat dhe si u paketuan në valixhe e më pas u hodhën në një fushë pranë rrugës Fi-Pi-Li.

Brenda valixheve, me trupa janë gjetur mbështjellje të ndryshme najloni, izolanti, copash të ndryshme, të cilat mund të mbartin dhe mbetje të ADN-së së autorëve apo gjurmë të ndryshme. Policia italiane po analizon këtë pistë kryesore për zbardhjen e ngjarjes, por nuk jep asnjë detaj mbi zhvillimin e hetimeve.

Gjithsesi, ata hamendësojnë se ka shumë gjasë që krimi të jetë kryer brenda një shtëpie, pasi veshjet e Teutës kanë qenë veshje shtëpiake. Por banesa ku djali i Pashove, Taulanti, jetonte me të fejuarën, është përjashtuar si vend i ngjarjes, pasi çifti atje nuk ka qendruar asnjë ditë.

Mënyra si janë prerë trupat është thuajse perfekte. Një dorë profesioniste mund të ketë marrë pjesë në proces, ku mendohet se mjeti i përdorur mund të ketë qenë një sharrë elektrike. Më pas trupat janë trajtuar me solucione të ndryshme për të ndaluar gjakderdhjen.

Mbetet e paqartë edhe koha kur ka ndodhur vrasja dhe kur janë hedhur valixhet në fushën pranë burgut. Fshatari i cili gjeti valixhen e parë, Michele Adiletta, deklaroi për hetuesit se ai kishte së paku dy vite që nuk shkelte në atë cep të arës së tij.

Hamendësimet e para të policisë ishin se valixhet kishin rreth një vit që ishin hedhur, por kjo dëshmi e Adiletta-s lë hapur dhe një kohë më të hershme. Në fakt, në njërën nga valixhet, kishin mbirë brenda bimë të ndryshme, duke sugjestionuar një kohë shumë të gjatë të qëndrimit në atë vend.

Edhe dinamika se si janë hedhur valixhet mbetet e paqartë. Ato janë gjetur me distancë 70 deri në 100 metra njëra nga tjetra, ndaj me siguri mjeti nga i cili u hodhën ka qenë në lëvizje. Një njeri, sado i fuqishëm, do ta kishte të pamundur të hidhte një valixhe aq larg i vetëm sipas policisë, duke hedhur dyshime mbi pjesëmarrjen e disa autorëve.

Detaje interesante për ngjarjen vijnë dhe nga Shqipëria, ku një nga fqinjat e çiftit në Vlorë, deklaroi për emisionin “Pa Gjurmë” në Report TV, se i kishte parë në një nëntor 2015 të niseshin drejt Italisë, me katër valixhe në duar. Teuta, e kishte përshëndetur, duke i thënë se nuk do të shiheshin më.

Në fakt, emisioni “Pa Gjurmë” e ka trajtuar dhe më parë këtë ngjarje. Dorina dhe motra e saj Viktoria, gjatë viteve të fundit, i janë drejtuar disa herë emisionit për të apeluar gjetjen e prindërve pas zhdukjes së tyre në dy nëntor.

Të njëjtën gjë e ka bë një herë dhe Taulanti, vullnetarisht, por në ndryshim nga motrat e tij, ai është tërhequr në çastin e fundit.

Ai në atë kohë deklaroi se prindërit e tij “ishin larguar dhe nuk kishte nevojë t’i kërkonin”. Ndër të tjera, ai shtonte se “nuk donte të publikonte pashaportat e tyre dhe t’i shkaktonte një dëm publik”.

Viktoria, për të njëjtin emision, tha se nuk mund të drejtonte gishtin nga askush. “Nga çfarë dimë, njeriu i fundit që i ka parë prindërit e mi ka qenë e fejuara e vëllait tim”.

Elona, ish e fejuara e Taulantit, deklaroi gjatë hetimit për policinë italiane se ajo nuk është personi i fundit që i ka parë Pashot.

Krimi makabër që tronditi Firenze-n dhe gjithë opinionin publik italian mbetet ende shumë i paqartë dhe priten detaje të reja për zbardhjen e tij.

Dëshmia kyçe, do të jetë ajo e Taulantit, i cili u lokalizua në një burg zviceran, ku po vuan një dënim për vjedhje.

Dëshmia e tij, është copëza e munguar, e cila mund të plotësojë mozaikun pesë vjeçar të zhdukjes dhe vrasjes së Shpëtimit dhe Teutës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore