Kulturë

999 portretet që nuk të linin vetëm


Të radhitura me bujarinë e harmonisë, portretet ta rrëmbenin çastin. Atë çast që do të duhej t’i vështroje ngultas se dikush aty të ngjasonte.

Jo nga tiparet, por nga ajo çka fshihnin sytë herë të përkëdhelur nga shndritja e të qeshurës e herë të tjera të rrëzuar nga rrudhat e lodhjes.

Se ato nuk ishin veç portrete. Ishin ndjesi të përçuara natyrshëm.

Nganjëherë dukej sikur ishin portretet ato që të shihnin drejt e në sy. Të thërrisnin me zërin e artistikes. E nuk të linin vetëm.

Këto ishin portretet e realizuara nga artisti David Hardy, të cilat u strehuar te Europe House, në një çelje të ngrohtë me praninë e vetë artistit dhe shumë të tjerëve që shijuan ekspozitën.

Por pse 999?

Fotoreporteri shqiptar, David Hardy, ka treguar për Albanian Post se projekti fotografik i titulluar “999 Portretizime Shqiptare” lidhet me shkrepjen e 999 fotografive të personave të ndryshëm me kombësi shqiptare.

“Numri 999 sepse përpos numrit të lartë të njerëzve të përfshirë gjithashtu çdo njeri do ta gjejë veten te ky projekt, duke qenë se portretizimet janë të gjera dhe gjithëpërfshirëse”, ka zbuluar artisti.

Për këtë gjerësi të projektit artistik, Hardy ka treguar se ka të bëjë me pjesëmarrësit, të cilët janë nga vende të ndryshme të Shqipërisë dhe mes të cilëve gjen grupmosha të ndryshme pa dallim gjinie, besimi, seksualiteti apo profesioni.

Gjithashtu gjen edhe grupe të margjinalizuara.

Rrëfimi i portreteve

Hardy tregon se projekti “lindi nga dëshira për të dalë përtej fotove që shohim në mediat sociale, të cilat në njëfarë mënyre i përmbahen të njëjtit standard të së bukurës”.

Dhe se është një iniciativë, të cilën artisti e ndërmori për të eksperimentuar me portretet e personave të ndryshëm, duke i takuar ata, duke bashkëbiseduar për jetën e tyre të përditshme dhe duke i reflektuar të gjitha rrethanat sociale në portretin e tyre.

“Kam dashur që përmes këtij projekti të bëj bashkë esencën e shoqërisë shqiptare dhe mbi të gjitha mënyrën se si e shoh këtë shoqëri përmes imazhit”, sqaron Hardy.

Dhe për këtë shoqëri në imazhe, ai dallon se “herë është e bukur, herë e vuajtur dhe shpesh herë krenare, ashtu sikurse edhe në mendime”.

Madje, ka vijuar se fotografitë e realizuara nuk kanë të bëjnë vetëm me tiparet e fytyrës së personave që kanë marrë pjesë në projekt, “por edhe ndjenja që ne i përjetojmë çdo ditë në jetën tonë”.

Misioni i fotografit

Hardy është i mendimit se kohët e fundit, fotografia është kthyer së tepërmi në personale. Ndoshta edhe “egoiste” nga vetë fjala selfie.

Ai tregon se në fillimet e veta, fotografia lidhej me grupimet dhe ndërveprimet shoqërore, prandaj dhe fotografi shkonte diku dhe fotografonte.

“Ishte ai (fotografi) rrëfimtari i ngjarjeve, njerëzve dhe bukurisë që shikonte. Pavarësisht se është shtuar numri i fotove, rëndësia dhe ndikimi i tyre në aspektin social ka rënë”, mendon artisti.

Gjithashtu ka ravijëzuar se është misioni i një fotografi ta përdori fotografinë për të bërë bashkë njerëzit.

“Jam i sigurt se secili prej nesh mund të shohë 900 selfie në profilin e tij në rrjetet sociale dhe mos të shkoj përtej pamjes së jashtme”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, ka rrëfyer se sfidat janë edhe më të shumta kur ndërmerr diçka në mënyrë personale.

“Një nga kryesoret është gjetja e mbështetjes financiare për ta çuar projektin më lart, për të publikuar tre librat që kam në plan me nga 333 portrete secili, në mënyrë që çdokush të mund të ketë një album fotografik bashkëkombësit e vendit të tyre”, përmbyll Hardy.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore