Lajme

9 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes së parë Kosovë-Serbi


Ilustrim

Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë, i cili u quajt teknik, u nis nga ish- kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Më 19 prill të vitit 2013, nëntë vite më parë, ai si shef i ekzekutivit të Kosovës nënshkroi dokumentin e parë të parimeve në dialogun me Serbinë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Arritja e kësaj marrëveshje është njohje e Kosovës, e subjektivitetit ndërkombëtar, sovranitetit dhe integritetit territorial”, kishte thënë ndër të tjera Thaçi në një konferencë për medie pas takimit.

Në fakt, njohja nga Serbia nuk erdhi kurrë, as tani.

Me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve në mes të dy vendeve, Hashim Thaçi, atëkohë kryeministër i Kosovës dhe Ivica Daçiç, i cili po ashtu ishte kryeministër i Serbisë, nënshkruan marrëveshjen 15 pikëshe.

Që nga fillimi i bisedimeve Kosovë-Serbi, Republika e Kosovës ka ndërruar pesë kryeministra, përfshirë edhe Thaçin.

Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur rezerva karshi këtyre bisedimeve me palën serbe. Ai vazhdon të mos e bëjë të qartë, akoma, qasjen e qeverisë karshi këtij procesi.

“Kosova ka qenë më shumë temë e dialogut sesa palë në dialog. Dhe kjo duhet të ndryshoj”, kishte thënë në një nga intervistat e para si Kryeministër i Kosovës, Kurti, kur u pyet për dialogun, temën më të diskutuar nga vetë ai sa ishte në opozitë.

Që nga marrja e pushtetit e deri tani, për më shumë e një vit, në mandatin e dytë si Kryeministër, Kurti vazhdimisht e mohon se po e shmangë përfshirjen në këtë proces, por me raste ka shtuar se negociatat duhet të përgatiten mirë e me prime.

Takimi i parë i Kurtit me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç me ndërmjetësim të emisarit Mirolsav Lajcak, sipas asaj që kanë thënë dy të fundit, pritet të mbahet në muajin maj ose qershor.

Krye qeveritari paraprak, Avdullah Hoti në këtë dialog, kishte qasje që u quajt pragmatike.

Për 10 muaj në kryeministri, Hoti udhëhoqi me bisedimet. Të gjitha rrethet e dialogut si në nivelin e latë ashtu edhe në atë teknik, palët kanë përafruar qëndrimet e tyre por ujdia finale nuk u jetësua kurrë, duke mbetur gjithmonë në tentativë.

Por, para Kurtit e Hotit, Kosova kishte një kryeministër që nuk u përfshi fare në dialog.

Ramush Haradinaj, thoshte se kishte se kishte punë më të rëndësishme për të kryer brenda vendit.

Detyra i delegohej sërish Hashim Thaçit i cili në këtë periudhë ishte president.

Përkundër kësaj, për gati 2 vjet sa ishte në krye të ekzekutivit, Haradinaj ishte në konflikt të hapur me atë kohë presidentin Thaçi.

I pari vazhdimisht akuzonte të dytin për pazare për ndarje të Kosovës. Por Thaçi gjithmonë i mohoi akuzat.

Kryeministri i pestë i republikës së Kosovës që u përfshi në dialogun Kosovë – Serbi, ishte Isa Mustafa.

Lidershipi i tij në këtë proces u kundërshtua fort nga opozita në Prishtinë. Por nën udhëheqjen e tij u zhvilluan numër i konsiderueshëm i takimeve me Serbinë që kulmuan në gusht të vitit 2015-të.

Në ujdinë e madhe të 19 prillit më 2013 atë kohë Mustafa firmosi me Vuçiçin ujditë për energjinë elektrike, kodin telefonik, hapjen për qarkullim të plotë të urës së Ibrit në Mitrovicë dhe asociacionin me klauzolën që statusi i këtij organizmi të të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore