Lajme

50 vjet nën akull, gurët e çmuar i rikthehen alpinistit


Thesari i smeraldëve, rubinëve dhe safirëve të varrosur për dekada në një akullnajë pranë malit Blanc të Francës është ndarë mes alpinistit që i gjeti dhe autoriteteve lokale.

Alpinisti i zbuloi gurët e çmuar tetë vjet më parë dhe i dorëzoi ata në polici, tregon e përditshmja “The Guardian”.

Asokohe, ai u ndesh me gurët e çmuar, të cilët ishin të fshehur brenda një kutie metalike që ndodhej në bordin e një avioni indian të rrëzuar në peizazhin e shkretë afro 50 vjet më parë.

“Gurët janë ndarë këtë javë” në dy pjesë të barabarta me vlerë rreth 150 mijë euro secila, ka zbuluar kryebashkiaku i Chamonix, Eric Fournier.

Gjithashtu ka shtuar se ishte “shumë i lumtur”, veçanërisht për alpinistin, të cilin e lavdëroi për “integritetin” e tij në dorëzimin e zbulimit në polici, siç kërkohej me ligj.

Në fillim të këtij viti, pasi u informua se do t’i jepeshin disa nga gurët, alpinisti ka thënë se nuk “pendohej që ishte treguar i sinqertë” dhe se do të përdorte disa nga paratë për të rinovuar apartamentin e tij.

Kanë qenë vitet 1950 dhe 1966 kur dy avionë të linjës Air India u rrëzuan në malin Blanc.

Përgjatë viteve, alpinistët kanë gjetur në mënyrë rutinore mbeturina, bagazhe dhe mbetje njerëzore nga dy avionët.

Sipas autoriteteve, besohet se gurët e çmuar ka të ngjarë të kenë ardhur nga fluturimi i vitit 1966, i cili kishte qenë rrugës nga Mumbai për në New York.

Avioni Boeing 707, që fluturonte nga Mumbai, u rrëzua në faqen jugperëndimore të malit më 24 janar të atij viti.

Nga përplasja u lanë të vrarë 117 njerëz, përfshirë pionierin e programit bërthamor të Indisë, Homi Jehangir Bhabha.

Edhe mbetjet njerëzore të gjetura në zonë në vitin 2017, besohet se kanë ardhur nga rrëzimi i vitit 1966 ose ai i avionit tjetër indian, Malabar Princess, i cili u rrëzua në vitin 1950.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore