Lajme

45 viktima në Maqedoni – Gërvalla i dërgon telegram ngushëllimi homologut Osmani


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla, i ka dërguar telegram ngushëllimi homologut të saj nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmanit, për humbjen e jetëve të dhjetëra qytetarëve në aksidentin tragjik.

“Me trishtim të thellë mora lajmin për aksidentin tragjik në Bullgari, ku në mëngjesin e sotëm humbën jetën 46 persona nga Maqedonia e Veriut”.

“Pranoni ngushëllimet më të sinqerta në emrin tim dhe të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, për Ju, familjarët e viktimave dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut për këtë humbje të madhe dhe tragjike”, thuhet në telegramin e Gërvalles.

Gërvalla ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për çdo gjë të nevojshme.

Aksidenti tragjik në Maqedoninë e Veriut.

“Dua gjithashtu të theksoj gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të qenë pranë dhe për të ndihmuar në çdo gjë që është e nevojshme për qytetarët dhe institucionet e Maqedonisë së Veriut në këtë moment të kobshëm”.

Ajo tutje ka uruar që të lënduarit të shërohen sa më shpejt.

“Sot të gjithë ne bashkëndiejmë me ju dhe lutemi që të lënduarit të shërohen sa më parë”.

Aksident tragjik me 46 viktima në Bullgari

Më 23 nëntor, të paktën 46 persona kanë vdekur, 45 prej tyre shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, pasi një autobus u përfshi nga flakët në orët e para të 23 nëntorit.

Sipas autoriteteve bullgare, ky incident ndodhi në një autostradë të Bullgarisë perëndimore.

Mes viktimave ishin dhe 12 fëmijë. Shtatë persona me djegie u dërguan në spitalin e kryeqytetit, Sofje, tha për televizionin BTV kreu i departamentit të sigurisë nga zjarri në Ministrinë e Brendshme bullgare, Nikolai Nikolov.

Ministria e përditësoi më pas numrin në 46. Në bord kishte gjithsej 53 persona.

Aksidenti tragjik në Maqedoninë e Veriut.

Një zyrtar nga spitali i urgjencës së Sofjes tha se shtatë personat që po merrnin trajtim ishin hedhur nga autobusi që po digjej.

Të gjithë janë në gjendje të qëndrueshme për jetën.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se pasagjerët po ktheheshin në Shkup pasi një udhëtimi në fundjavë në Stamboll.

Aksidenti ndodhi në autostradën Struma rreth 45 kilometra në perëndim të Sofjes rreth orës 2 të mëngjesit.

“Të paktën 45 njerëz u vranë pasi një autobus mori flakë dhe u rrëzua, ose u përplas dhe më pas mori flakë”, tha Nikolov.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore