Lajme

40 burra kosovarë kanë dokumentuar dhunën seksuale nga regjimi serb


Ilustrim.

40 burra si dhe 986 gra të tjera nga Kosova kanë dokumentuar dhunën seksuale, që kanë përjetuar para më shumë se dy dekadash.

Mbi një mijë persona, për tri vjet kanë arritur të fitojnë statusin e viktimës së dhunës seksuale dhe për të përfituar pagesën mujore prej 230 eurosh.

Megjithatë në mesin e tyre, ka gra e burra që kanë refuzuar të marrin pensionin, por që këta të mbijetuar kanë kërkuar vetëm të dokumentojnë tmerrin që kanë përjetuar.

Kryetarja e Komisionit për Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale, Minire Begaj-Balaj, në intervistë për KosovaPress thotë se që prej kur ka filluar punën ky komision janë paraqitur mbi 1 mijë e 500 raste.

“I kemi 1 mijë e 565 raste që kanë aplikuar për t’u njohur statusi i viktimës së dhunës seksuale. Prej tyre të trajtuara i kemi 1 mijë e 8 raste që u kemi njohur statusin e viktimës së dhunës seksuale. Ky numër është edhe i përfshirë në pensionin mujor personal në vlerë prej 230 eurosh”, thotë Begaj-Balaj.

Ndërsa, thekson se prej tyre deri tani janë trajtuar 1 mijë e 280.

“Prej tyre në përgjithësi të trajtuara deri më tani janë 1280. Kemi përafërsisht diku deri në 50 raste janë në pritje në shqyrtim që presin për dokumente shtesë, për intervista. Kemi edhe një numër të refuzuar, 219 raste janë të refuzuara”, thotë ajo.

Pranë komisionit të përbërë nga nëntë panelistë gjatë këtij viti janë paraqitur dosjet e 74 personave.

“40 burrave ua kemi njohur statusin e viktimës së dhunës seksuale, pjesa tjetër është gra. Për këtë vit ne i kemi pasur deri më tani 73 raste që kanë aplikuar. Ne jemi të vetëdijshëm që pandemia ka ndikuar në çdo sferë, edhe në këtë pjesë te komisioni, edhe te aplikimet”.

Kryetarja e Komisionit për Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale, Minire Begaj-Balaj.

Udhëheqësja e këtij komisioni me mandat pesëvjeçar, thekson se në vitin e kaluar ka pasur pengesa që janë shfaqur nga vendimet e qeverisë.

“Në vitin e kaluar e kemi pasur atë pengesën që kemi qenë të obliguar sipas vendimeve të qeverisë. Më pastaj e kemi pasur një zbritje, por ka qenë afektim i pandemisë. Nuk kemi pasur rritje apo ulje drastike, ka qenë një tempo e njëjtë që ka mund të vijë gjatë muajve”.

Begaj-Balaj sqaron se pse një pjesë e viktimave nuk shfaqin interes që të marrin pagesa mujore.

“Kemi disa raste, nuk janë shumë raste, por kemi raste që disa të mbijetuara kanë ardhur të aplikojnë vetëm të tregojnë ajo që ka ndodhur. Dhe e thonë shumë hapur, e shprehin para neve që ‘nuk kam nevojë për mjete financiare, nuk kamë nevojë për asnjë”.

“Kam ardhur të tregoj dhe me mbet kjo gjurmë dhe kjo vuajtje që na ka ndodhë. E paraqet edhe me atë që aq ka mundur të bëjë, të vijë deri në komision, të fitojë të drejtën e viktimës por nuk i interesojnë mjetet financiare”.

Komisioni për Verfikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale nuk ka hapur ende rrëfimet e mbi 220 personave.

“Deri më tani lëndë të pahapura i kemi 286 raste. Por, që në javën tjetër mund të na zbres ky numër apo të rritet. Varet çka ne pranojmë, apo çka ne lëshojmë vendime”, deklaron ajo.

Instalacioni “Mendoj për Ty”

Po ashtu, trajtimi i këtyre rasteve po konsiderohet i vështirë, meqë rrallë viktimat posedojnë dokumentacionet e nevojshme që kërkon ky komision.

“Problemet janë të ndryshme, tash së fundmi që po e evidentojmë më së shumti është çështja e stigmës. Kanë probleme burrat dhe gratë për një arsye apo tjetër që t’i drejtohen komisionit. Në fillim ka qenë ndryshe sepse muajt e parë ne e kemi pasur një volum shumë të madh të lëndëve”.

“Diku për muajt e parë 700 lëndë na kanë ardhur për aplikim, por kanë qenë raste që kanë qenë të trajtuara nëpër OJQ. Tash jemi në vitin e tretë dhe po e shohim që ka probleme të dokumentimit, të narracionit janë 20 vjet në pyetje”.

Sipas saj, “gjërat janë harruar dhe nëse ka pasur kontrolle, dokumentet nuk janë ruajtur. Edhe nëse kanë pasur dëshmitarë, tash nuk vjen dëshmitari të konfirmojë apo të jap një deklaratë”.

Në Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar afati i fundit për të paraqitur kërkesën për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimës së dhunës seksuale është pesë vjet nga fillimi i punës së komisionit.

Ky komision zyrtarisht punën ka filluar në shkurt të vitit 2018.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore