Kosova

Konfiskohen 32 kg drogë në Suharekë


Ilustrim

32 kilogramë drogë të llojit marihuanë dhe 2,059 bimë kanabis janë konfiskuar nga Policia e Kosovës në fshatin Shirokë të Suharekës, pasi kanë zbuluar një laborator të bimëve narkotike në kulmin e një ndërtese shtatë-katëshe.

Gjatë një konference për media prokurorja e rastit, Ariana Shajkovci, ka thënë se janë arrestuar gjashtë persona, prej tyre katër shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe dy të Kosovës.

“Bastisja është kryer në fshatin Shirokë të Suharekës. Hetimet kanë nisur më 4 shkurt ndaj tre personave ku njëri nga ta është arrestuar sot. Janë arrestuar 6 persona, 4 shtetas të Maqedonisë së Veriut, dhe 2 të Kosovës”, tha Shajkovci.

Ajo po ashtu ka theksuar se janë sekuestruar edhe tri vetura, gjashtë telefona celularë dhe 2,185 euro para të gatshme.

Ndërkaq Reshat Murseli, drejtor i Drejtorisë për antidrogë, ka potencuar se “po të ktheheshin në peshë të përgjithshme pas përpunimit do arrinin peshën 800 kg dhe blera mbi 1 milion e gjysmë”.

Ndryshe, Policia e Kosovës apo më saktësisht Drejtoria e Hetimit të Trafikut të Narkotikëve, pas hetimeve të ndërmarra disa muaj të koordinuara me Prokurorinë Themelore për Krimet e Rënda në Prizren, me datën nëntë shkurt rreth orës 20:20 pas një operacioni taktik në fshatin Konushevcë të komunës së Podujevës ka konfiskuar 91 kilogramë lëndë narkotiket të tipit marihuanë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore