Lajme

28 qershor 1914, para 108 vitesh filloi Lufta e Parë Botërore


Më 28 qershor 1914, saktësisht në orën 11:15 para mesditës, princi i kurorës së Habsburgëve, Franz Ferdinandi dhe gruaja e tij Sofija – dukesha e Hohenbergut u ekzekutuan në Sarajevë, Bosnje dhe Hercegovinë.

Ata kishin ardhur për vizitë në Sarajevë për të ndjekur nga afër stërvitjet ushtarake të organizuara nga Austro-Hungaria.

Nacionalistët serbë, të “trimëruar” nga luftërat ballkanike të viteve 1912/13, të cilët e shihnin vetën si fuqi rajonale e kthyen vëmendjen te ideja e “çlirimit” të sllavëve të jugut nga Perandoria Austro-Hungareze.

Duke besuar se kauzës së serbëve do t’i shërbente vrasja e Franz Ferdinandit, trashëgimtarit të perandorit austriak Franz Joseph, dhe duke ditur se ai do të vizitonte Sarajevën, kreu i ushtrisë së Serbisë Dragutin Dimitrijeviç, komplotoi vrasjen e tij.

Sulmi i studentit boshnjako-serb, Gavrilo Principit, shkaktoi një krizë midis fuqive të mëdha evropiane që edhe ashtu vetëm një shkëndijë u nevojitej për të ndezur luftën. Ajo shkëndijë u ndez në Ballkan, që njihet edhe sot si “fuçi baruti” në Evropë.

Pas rreth një muaji, pas një sërë ultimatumesh, më 28 korrik 1914, Austro-Hungaria i shpalli luftë Serbisë dhe në ditët në vijim, bombardoi Beogradin. Një nga një vendet iu bashkuan luftës. Në vetëm pak ditë, gjysma e Evropës ishte në luftë që do të ndryshonte përgjithmonë historinë botërore.

Gjatë konfliktit, Britania e Madhe, Franca, Rusia, Italia, Rumania, Kanada, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që u njohën si “Fuqitë Aleate” luftuan kundër Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Bullgarisë dhe Perandorisë Osmane “Fuqitë e Boshtit”.

Lufta e Madhe përfundoi me fitoren e “Fuqive Aleate”. Austro-Hungaria u shpërbë në vorbullën e luftës, e po ashtu edhe Perandoria Ruse. Në Rusi më pas do të vijnë në pushtet komunistët.

Gjermania, si palë që pësoi humbje në luftë, duhej të paguante dëmshpërblime të larta, të cilat shkaktuan varfëri dhe krizë.

Si pasojë e kësaj pakënaqësie do të ngrihet së shpejti Adolf Hitleri, i cili pas vetëm njëzet vjetësh nga përfundimi i Luftës së Parë Botërore, do ta çojë botën në një Luftë të Dytë Botërore edhe më të përgjakshme.

Pra, kjo ishte shkëndija që shkaktoi Luftën e Parë Botërore, e cila zgjati nga viti 1914 deri në vitin 1918. Me mbi 37 milionë të vdekur ishte një nga luftërat më të përgjakshme të të gjitha kohërave.

Pesë vjet më vonë po në këtë ditë 28 qershor 1919,  Traktati i Versajës i dha fund zyrtarisht luftës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore