Lajme

16 vjet nga vdekja e presidentit Ibrahim Rugova


Ibrahim Rugova, Presidenti i pare i Kosovës

Sot janë bërë 16 vjet nga vdekja e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Ai vdiq më 21 janar të vitit 2006, u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Funerali i Rugovës ishte njëri nga më të mëdhenjtë në historinë shqiptare. Rugova u varros 5 ditë pas vdekjes, më 26 janar.

Rugova ishte Presidenti i parë i Republikës së Kosovës, duke shërbyer në vitet 1992–2000 dhe përsëri në vitet 2002–2006. Ishte intelektual, akademik dhe kritik letrar i njohur shqiptar. U njoh si lider i lëvizjes më të madhe paqësore në Evropë, i lëvizjes së gjerë për emancipim, çlirim kombëtar e pavarësi të Kosovës.

Dr. Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në Cerrcë të Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugovën, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në vitet 1976-1977, ai studioi nën mbikëqyrjen e Roland Barthes në Paris, ku zhvilloi interesat e tij shkencorë në letërsi me një fokus në teorinë letrare

Ai themeloi LDK-në në vitin 1989 si një lëvizje e gjerë e cila udhëhoqi institucionet “paralele” të Kosovës në vitet 1990, pasi lideri serb Sllobodan Millosheviç kishte shfuqizuar statusin autonom të Kosovës.

Pasi Beogradi vendosi sundimin e drejtpërdrejtë, Rugova u zgjodh jo zyrtarisht si president i Kosovës për dy mandate.

Kur NATO-ja nisi sulmet ajrore në një përpjekje për ta detyruar Millosheviçin të tërhiqte forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe nga Kosova në mars 1999, policia hyri në shtëpinë e Rugovës në Prishtinë dhe e vendosi atë dhe familjen e tij në arrest shtëpie.

Pas më shumë se një muaj, Rugova dhe familja e tij u lejuan të largoheshin për në Itali. Ai u kthye në shtëpi në Kosovë pas përfundimit të luftës, në korrik 1999.

Ai u zgjodh zyrtarisht president nga parlamenti në vitin 2002 dhe u rizgjodh në vitin 2005.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore