Lajme

13 të vdekur nga sulmi ndaj qendrës tregtare në Ukrainë


Bilanci është ende momental, por ai është tragjik!

13 persona kanë mbetur të vdekur deri tani nga goditja e një qendre tregtare në zonën e Kremenchuk-ut me raketa ruse, kur mbi 1 mijë persona gjendeshin brenda saj.

Qindra persona janë nxjerrë ndërkaq të lënduar, ndërsa kërkimet vijojnë për më shumë viktima.

E gjithë godina u përfshi nga flakët pas sulmeve ruse, të cilat u dënuan me gjuhën më të ashpër nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Asnjë rrezik për forcat ruse. Asnjë vlerë strategjike. Vetëm një përpjekje për të jetuar lirisht nga njerëz normale, gjë e cila e nxeh pafund okupatorin”.

Me këto fjalë i është adresuar Zelensky opinionit publik, duke e përshkruar goditjen e objektit nga Moska si krim barbar.

Sipas tij, Kremlini thjesht po përdor pafuqinë e vet për të goditur qytetarët e thjeshtë të një vendi të lirë. Ndaj, është e kotë që të pritet ndonjë ndjenjë humaniteti prej tyre.

Aktin e ka dënuar edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili theksoi se “bota është e tronditur nga kjo ngjarje”.

Mbështetjen ndaj Ukrainës nuk e la pa përmendur kryediplomati amerikan.

Ndërsa, në të njëjtën retorikë të ashpër, ishte edhe kryeministri britanik, Boris Johnson, i cili tha se akti, shënjon një vepër “barbarie” nga ana e presidentit rus, Vladimir Putin, duke e akuzuar kështu drejtpërdrejt kreun e Kremlinit.

Duke qenë se në zhvillim e sipër është edhe samiti i vendeve të G7-ës, të gjitha këto të fundit e dënuan sulmin dhe bënë thirrje për të mbështetur Ukrainën financiarisht e ushtarakisht, për sa kohë të ishte e nevojshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore