Sport

11 lojtarë të gatshëm të largohen nga Manchester United në janar


Ole Gunnar Solskjaer është larguar nga Old Trafford, por Manchester United nuk ka gjetur ende një zgjidhje për krizën e vazhdueshme në klub, pasi trajneri i ri, Ralf Rangnick po përpiqet të bashkojë lojtarët.

Ish-trajneri i RB Leipzig përjetoi humbjen e tij të parë që kur mori drejtimin e “djajve të kuq” në duelin e tyre në shtëpi kundër Wolverhampton Wanderers, të cilët fituan 1-0.

Sipas Daily Mirror, 11 lojtarë janë të gatshëm të largohen nga klubi, pasi nuk kanë hapësirë të luajnë nën drejtimin e Rangnick.

Ka nga ata që prisnin të merrnin më shumë kohë për lojë pas shkarkimit të Solskjaer, por që nuk kanë arritur të i lënë përshtypje të mirë trajnerit të tyre të ri, ndërsa të tjerë nuk pajtohen me stërvitjen dhe dhe taktikat e tij.

“Atmosfera është vërtet e keqe dhe duket se do të ketë probleme të mëdha përpara për United”, kanë raportuar Daily Mirror.

Jesse Lingard, Donny van de Beek, Eric Bailly dhe Dean Henderson janë ndër lojtarët që thuhet se janë të pakënaqur me rolin e tyre në ekip dhe mund të largohen nga United në janar.

Ish-kapiteni i Manchester United, Gary Neville, beson se ka pakënaqësi në dhomën e zhveshjes së Manchester United dhe kritikoi Cristiano Ronaldo-n për reagimet e tij pas disa prej rezultateve të dobëta të ekipit.

Ndërkohë, mbrojtësi i majtë Luke Shaë ka theksuar se lojtarët kanë një problem mentaliteti dhe jo cilësie.

“Shikoni lojtarët që kemi, kemi cilësi të pabesueshme, por ndonjëherë cilësia nuk mjafton”, tha Shaw pas humbjes nga Wolves.

“Duhet të sjellim intensitet dhe më shumë motivim”.

“Brenda dhomës së zhveshjes ne e dimë se çfarë duam, por në fushë duhet të japim 100 për qind”, përfundoi Shaw.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore