Lajme

104 persona të vdekur në aksidente rrugore vetëm sivjet, autoritetet kosovare paralajmërojnë ashpërsim të masave


Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla, në një konferencë të përbashkët për media me Drejtorin e Policisë së Kosovës, pas numrit të madh të aksidenteve në Kosovë, ka paralajmëruar ashpërsim të masave ndaj shkelësve të rregullave të komunikacionit, derisa u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në trafik për respektimin e rregullave të komunikacionit.

“Duke marrë parasysh numrin e madh të aksidenteve dhe humbjen e jetëve në komunikacion, ne konsiderojmë ashpërsimin e masave dhe realizimin e tyre pa asnjë kompromis. Këtë vit kemi humbur 104 qytetarë në aksidente të komunikacionit, duke përfshirë edhe këmbësorë”, ka thënë ministri Sveçla, gjithmonë duke apeluar për kujdes të shtuar.

Ai ka folur edhe për aksidentin e së shtunës në Prizren, ku tre persona kanë humbur jetën në një aksident gjatë një gare ilegale automobilistike. Ministri Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës ia kishte parandaluar dy herë grupit të njëjtë organizimin e garave, derisa ka njoftuar se këtë vit janë shqiptuar 76 gjoba ndaj personave që kanë organizuar gara ilegale.

“Policia e Kosovës të njëjtit grup ia kishte parandaluar dy herë organizimin e garave të tilla… të njëjtit kanë pasur gjoba të njëpasnjëshme për tejkalimin e shpejtësisë dhe rrezikimin e pjesëmarrësve tjerë në komunikacion, ndërsa njërit prej tyre i është konfiskuar patentë-shoferi për tejkalimin e shpejtësisë”, ka shtuar ndër të tjera ai.

E ndër masat që pritet të merren për parandalimin dhe përsëritjen e aksidenteve janë dyfishimi i gjobave monetare, dyfishimi i afateve kohore të konfiskimit të patenë-shoferëve dhe dyfshimi i pikëve negative, ndërsa përgjegjësia e shkeljeve të rregullave të komunikacionit pritet të rëndojë ekskluzivisht mbi pronarin e automjetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore