Lajme

10 vjet nga vdekja e Nekibe Kelmendit


Nekibe Kelmendi

Më 19 qershor të vitit 2011 ka vdekur Nekibe Kelmendi. Ajo ishte nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe deputete nga radhët e këtij subjekti politik. Ajo njihej edhe si zonja e hekurt e LDK-së.

Ishte një nga bashkëthemelueset e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë. Ajo ishte edhe ministre e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës.

Kelmendi kishte marrë pjesë edhe në grupin e ekspertëve në kuadër të Ekipit të Unitetit në negociatat për statusin e Kosovës.

Ndër ekspertët për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës ishte edhe zonja Kelmendi.

Pas luftës në Kosovë, Kelmendi, nga janari i vitit 2000 deri në nëntor të vitit 2001, ka qenë bashkëdrejtuese e Departamentit të Drejtësisë së Administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Nekibe Kelmendi kishte mbaruar Fakultetin Juridik në Prishtinë, më 1968, ku më pas ushtroi detyrën e gjyqtares.

Nga viti 1974 deri në vitin 1976, Kelmendi kishte ushtruar profesionin e avokates, ku u bë edhe avokatja e parë shqiptare në Kosovë.

Pastaj ajo kishte punuar si gjyqtare deri në vitin 1987, kur u diferencua, siç ndodhi me pjesën më të madhe të punonjësve shqiptarë, nga ana e regjimit të Millosheviçit. Ajo sërish iu rikthye profesionit të avokates, të cilin e ushtroi deri në vdekje.

Nekibe Kelmendi lindi më 11 maj 1944 në Pejë. Ajo vdiq në moshën 67 vjeçare, në Prishtinë.

Nekibe Kelmendi ishte bashkëshortja e avokatit të njohur Bajram Kelmendi, të cilin policia serbe e kishte ekzekutuar së bashku me të dy djemtë në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë, pasi i kishin rrëmbyer në shtëpinë e tyre më 24 mars të vitit 1999, pikërisht në ditën kur filluan bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore