Lajme

Radoniqi: 85 persona kanë votuar deri në orën 11:00, asnjë në Zveçan


Kreshnik Radoniqi, kryetar i KQZ-së

Në votimin për shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarë në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, deri në orën 11:00, sipas kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqit, kanë votuar vetëm 85 persona.

“Qendrat janë të hapura dhe vazhdojnë të presin qytetarët me të drejtë vote. Sipas të dhënave që kemi pranuar nga komisionet komunale të zgjedhjeve në këto katër komuna, numri i qytetarëve që kanë votuar deri në orën 11:00 është si në vijim. Në Leposaviq 46 votues, në Zubin Potok shtatë votues, në Zveçan asnjë votues dhe në Mitrovicë të Veriut 32 votues”, tha Radoniqi në një konferencë për media.

“I ftojmë të gjithë qytetarët që shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në procesin e votimit dhe deklarohen nëse janë për ose kundër largimit nga funksioni i kryetarëve”, shtoi.

Tutje, ai ka njoftuar se konferenca e radhës për media do të mbahet në ora 15:00.

Më herët gjatë ditës, rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), tha se ka interesim minimal të qytetarëve për të marrë pjesë në votimet në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

“Procesi i votimit, deri në orën 09:00 është i qetë dhe nuk është vërehet interes nga qytetarët për pjesëmarrje në proces të votimit”, tha DnV që po përcjell votimin nga afër përmes ekipeve mobile.

Krasniqi: Lista Serbe dëshiron ta ketë monopolin mbi politikën e serbëve në Kosovë

Ministri i Ministrisë për Administrimin e Pushtetit Lokal në Republikën e Kosovës, Elbert Krasniqi, pasi ka vizituar një qendër të votimit në Veri, ka thënë se gjithçka po shkon në rregull, teksa ka adresuar kritika për Listën Serbe e cila ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në votimin për shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarë në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

“Lista Serbe dëshiron ta ketë monopolin mbi politikën serbëve në Kosovë. Ata i shohin institucionet vetëm për vete dhe jo për qytetarët. Ata vazhdojnë t’i kenë ulëset e rezervuara në Kuvendin e Kosovës dhe mos t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve”, tha Krasniqi para gazetarëve.

Sipas tij, udhëzimi administrativ e ka hapur mundësinë që përmes peticionit të parashtrohet me 20 për qind të votuesve të një qyteti ku ata e kanë iniciuar këtë peticion.

Elbert Krasniqi

“Qeveria e Kosovës e ka pasur detyrën dhe mandatin që të mundësojë që qytetarët që dëshirojnë të shprehin pakënaqësinë e tyre ta bëjnë me të drejtën që u garantohet përmes Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Detyrë e jona ka qenë ta bëjmë këtë mundësi që qytetarët ta shprehin vullnetin e tyre. Detyrë e shtetit ka qenë edhe organizimi i procesit, pjesa tjetër i mbetet qytetarëve”, shtoi.

Megjithatë, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – njoftoi javë më parë se nuk do të marrë pjesë në votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë.

Sipas Listës Serbe, kjo mospjesëmarrje vije meqë në vlerësimin e tyre janë vendosur “procedura të parealizueshme” për votimin e 21 prillit dhe se listat e votuesve “nuk e pasqyrojnë gjendjen reale në terren” dhe se numri i shqiptarëve në listat e votuesve “është rritur”.

Në katër komunat veriore, të drejtë vote kanë 46.556 persona, apo 1.461 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet lokale të mbajtura më 23 prill 2023, kur u zgjodhën kryetarët shqiptarë.

Ndryshe, kryetarët shqiptarë u zgjodhën në prill të vitit 2023 në zgjedhjet të cilat u bojkotuan nga serbët në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.

Tensionet u ngritën pasi kryetarët shqiptarë, me ndihmën e policisë hynë në ndërtesat komunale në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, në maj të vitit të kaluar.

Prokuroria e Shtetit në mbrojtje të votës në Veri

Përmes një njoftimi për media, Prokuroria e Shtetit ka bërë të ditur se është duke mbikëqyrë procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve në Veri.

“Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik që nga ora shtatë e mëngjesit të ditës së sotme, prokurorët e shtetit së bashku me Policinë e Kosovës janë të angazhuar, në stacione policore të katër komunave gjegjëse, për të mbikëqyrë për së afërmi mbarëvajtjen e procesit të votimit, të cilët janë në gjendje gatishmërie që të reagojnë në çdo rast ku ka pengim të procesit të votimit”, thuhet në njoftim.

Në njoftim tutje theksohet se Prokurori i Shtetit me qëllim të parandalimit të çdo parregullsie që lidhet me të drejtën e votës, fton qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile, të bashkëpunojnë dhe raportojnë në Polici dhe Prokurori për të gjitha pretendimet eventuale lidhur me keqpërdorimet lidhur me këtë proces.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore