Lajme

Votimet në Veri, Krasniqi: Lista Serbe dëshiron ta ketë monopolin mbi politikën e serbëve në Kosovë


Ministri i Ministrisë për Administrimin e Pushtetit Lokal në Republikën e Kosovës, Elbert Krasniqi, pasi ka vizituar një qendër të votimit në Veri, ka thënë se gjithçka po shkon në rregull, teksa ka adresuar kritika për Listën Serbe e cila ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në votimin për shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarë në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

“Lista Serbe dëshiron ta ketë monopolin mbi politikën serbëve në Kosovë. Ata i shohin institucionet vetëm për vete dhe jo për qytetarët. Ata vazhdojnë t’i kenë ulëset e rezervuara në Kuvendin e Kosovës dhe mos t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve”, tha Krasniqi para gazetarëve.

Sipas tij, udhëzimi administrativ e ka hapur mundësinë që përmes peticionit të parashtrohet me 20 për qind të votuesve të një qyteti ku ata e kanë iniciuar këtë peticion.

“Qeveria e Kosovës e ka pasur detyrën dhe mandatin që të mundësojë që qytetarët që dëshirojnë të shprehin pakënaqësinë e tyre ta bëjnë me të drejtën që u garantohet përmes Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Detyrë e jona ka qenë ta bëjmë këtë mundësi që qytetarët ta shprehin vullnetin e tyre. Detyrë e shtetit ka qenë edhe organizimi i procesit, pjesa tjetër i mbetet qytetarëve”, shtoi.

Megjithatë, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – njoftoi javë më parë se nuk do të marrë pjesë në votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë.

Sipas Listës Serbe, kjo mospjesëmarrje vije meqë në vlerësimin e tyre janë vendosur “procedura të parealizueshme” për votimin e 21 prillit dhe se listat e votuesve “nuk e pasqyrojnë gjendjen reale në terren” dhe se numri i shqiptarëve në listat e votuesve “është rritur”.

DNV: S’vërehet interes nga qytetarët për të marrë pjesë në procesin e votimit në Veri

Ndërkaq organizata “Demokracia në Veprim” e cila përmes ekipeve mobile po vëzhgon procesin e votimit ka njoftuar se procesi i votimit deri në orën 09:00 është i qetë dhe se nuk vërehet interes nga qytetarët për të votuar.

“Sa i përket administrimit të procesit, KQZ është vonuar me informim për qytetarët lidhur me vendndodhjen e qendrave të votimit, meqë ky vendim është marrë vetëm një ditë para procesit të votimit. Gjatë vizitave të vëzhguesve nëpër Qendra të Votimit është vërejtur se disa prej tyre nuk mundësojnë qasje për persona me aftësi të kufizuar dhe për persona që janë në moshë të shtyrë”, thuhet në njoftim.

Në katër komunat veriore, të drejtë vote kanë 46.556 persona, apo 1.461 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet lokale të mbajtura më 23 prill 2023, kur u zgjodhën kryetarët shqiptarë.

Ndryshe, kryetarët shqiptarë u zgjodhën në prill të vitit 2023 në zgjedhjet të cilat u bojkotuan nga serbët në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.

Tensionet u ngritën pasi kryetarët shqiptarë, me ndihmën e policisë hynë në ndërtesat komunale në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, në maj të vitit të kaluar.

Prokuroria e Shtetit në mbrojtje të votës në Veri

Përmes një njoftimi për media, Prokuroria e Shtetit ka bërë të ditur se është duke mbikëqyrë procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve në Veri.

“Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik që nga ora shtatë e mëngjesit të ditës së sotme, prokurorët e shtetit së bashku me Policinë e Kosovës janë të angazhuar, në stacione policore të katër komunave gjegjëse, për të mbikëqyrë për së afërmi mbarëvajtjen e procesit të votimit, të cilët janë në gjendje gatishmërie që të reagojnë në çdo rast ku ka pengim të procesit të votimit”, thuhet në njoftim.

Në njoftim tutje theksohet se Prokurori i Shtetit me qëllim të parandalimit të çdo parregullsie që lidhet me të drejtën e votës, fton qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile, të bashkëpunojnë dhe raportojnë në Polici dhe Prokurori për të gjitha pretendimet eventuale lidhur me keqpërdorimet lidhur me këtë proces.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore