Lajme

Osmani udhëton në SHBA, do ta përfaqësojë Kosovën në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së


Ilustrim: Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të shtunën ka udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ta përfaqësuar Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, mbledhje kjo e cila do të mbahet të hënën e ku do të diskutohet raporti gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për punën e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).

Nëpërmjet një komunikate për media e lëshuar nga Zyra e Presidentes ndër të tjera bëhet e ditur se Osmani në Seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të flasë “për progresin, zbatimin e reformave, të drejtat e njeriut, demokracinë, sundimin e ligjit si dhe fusha të tjera me rëndësi për Kosovën.

“Presidentja poashtu do të flasë për domosdoshmërinë për drejtësi për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Përgjatë qëndrimit në New York, Osmani pritet të takohet e koordinohet me disa nga përfaqësuesit e përhershëm të shteteve mike në Kombe të Bashkuara.

Takimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën do të mbahet të hënën në ora 16:00, sipas kohës lokale të Kosovës, respektivisht në ora 10:00, sipas kohës së New York-ut.

Në seancën parapraken e cila u mbajt më 23 tetor të vitit të kaluar, Kosova ishte përfaqësuar nga Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Ndryshe më 8 shkurt të këtij viti u mbajt edhe një seancë e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për situatën në Kosovë pas rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës përmes së cilës u ndalu përdorimi i valutës shtetërore serbe, Dinari, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e vendit.

Seanca u thirr nga Serbia.

Kosovën në këtë seancë e përfaqësoi kryeministri, Albin Kurti. Ndërsa Serbinë, presidenti, Aleksandër Vuçiç.

Na ishte një herë e një kohë një Perëndim që s’e kritikonte Kosovën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore