Kosova

Mustafa i LDK-së, VV-së: Ky Kuvend s’ka qare pa e themelu Komisionin Hetimor për kontratat njëburimore


Besian Mustafa

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka thënë se Komisionet Parlamentare janë e drejtë kushtetuese, dhe si të tillë nuk mundet që pushteti, pra Lëvizja Vetëvendosje, t’i ndalë.

Këto komente, Mustafa i bëri në seancën e jashtëzakonshme të kuvendit, pasi që LVV-ja nuk po e përkrah themelimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar për kontratat njëburimore.

“O sot, o nesër, ky kuvend qare nuk ka pa e themelu një Komision Hetimor Parlamentar me i dalë në fund kësaj pune”, deklaroi Mustafa.

Mustafa, duke iu përgjigjur deputetëve të pushtetit, ia rikujtoi arrestimin e ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, i dyshuar për afera korruptive.

“Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje që e keni pasur ju drejtor për sektorin e energjisë në parti, e keni cu kryeshef në KEK, dhe është arrestuar për korrupsion për tendera njëburimorë, kështu që mos na tregoni përralla”.

Duke folur për kontratat njëburimore që pushteti aktual i ka dhënë, ai i prezantoi të gjitha me radhë në secilën ministri përkatëse.

“Në Ministrinë e Ekonomisë, duke përfshirë edhe ndërmarrjet publike… prej periudhës 2021 e deri tash 151 kontrata njëburimore, pra të negociuara në katër sy… 124 milionë e 606 mijë e 73 mijë euro”, tha ai.

“Ministria e Punëve të Brendshme 33 kontrata njëburimore, të negociuara në katër sy me dosta, 25 milionë e 772 mijë e 698 euro”, shtoi.

Sa i përket Ministrisë së Ambientit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Mustafa tha se janë “69 kontrata”, me vlerë “10 milionë e 570 mijë e 71 euro”.

“Ministria e Kulturës 56 kontrata, 4 milionë e 763 mijë e 391 euro të negociauar në katër sy. Ministria e Drejtësisë 13 kontrata të negociuara, pajtuara në katër sy, 4 milionë e 95 mijë e 725 euro”, shtoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore