Lajme

Kurti të enjten udhëton në Gjermani


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten e 25 prillit do të vizitojë Gjermaninë.

Një njoftim të tillë, të shtunën, e ka dhënë gazetari gjerman, Michael Martens, nëpërmjet një postimi në platformën sociale, X.

Sipas tij, Kurti në Berlin do të jetë nikoqir i Fondacionit Bertelsmann, ku do të diskutohet anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe rruga përpara.

Gazetari i prestigjiozes gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” ndër të tjera ka paralajmëruar zhvillime pas këtij debati, por pa dhënë detaje shtesë.

“Kryeministri i Kosovës Albin Kurti vjen në Berlin të enjten (25 prill) për të folur në fondacionin Bertelsmann, në një ngjarje në Bundestagun gjerman. Tema: Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe rruga përpara. Prisni zhvillime”, ka shkruar ai.

Ndërkaq udhëtimi i kryeministrit në kryeqytetin e Gjermanisë nuk është konfirmuar ende nga zyra e tij.

Ndryshe Albanian Post, ditë më parë raportoi se Qeveria e Kosovës është pajtuar në parim me komunitetin ndërkombëtar që pas përkrahjes që ka marrë me 16 prill nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, të dërgojë deri më 10 maj për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin.

Draft-statutit, që nuk është shkruar nga Kosova, por nga Bashkimi Evropian, është në plan që të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese nga Qeveria e Kosovës me propozim të Elbert Krasniqit, ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal.

Siç ka kuptuar Albanian Post nga burime ndërkombëtare, ky hap do të jetë kushti për Kosovën që më pas edhe me 16-17 maj Komiteti i Ministrave, saktësisht qeveritë e shteteve anëtare të KiE-së ta pranojnë Kosovën shtet anëtar të organizatës, apo, siç është procedura, t’i bëjnë thirrje për anëtarësim.

Të njëjtat burime thonë se Qeveria e Kosovës është pajtuar që ta bëjë këtë lëvizje në këmbim të anëtarësimit në KiE.

Pra, jo pritja e vendimit nga Gjykata Kushtetuese, por vetëm dërgimi në gjykatë nga Qeveria e Kosovës do të jetë hapi i domosdoshëm i kërkuar nga ndërkombëtarët.

Kjo është paraqitur edhe në pikat e raportit të raportueses Dora Bakoyannis ku thuhet se Kosova duhet “të marrë hapa substancial dhe të prekshëm për të zbatuar të gjithë artikujt e Marrëveshjeve në Bruksel dhe Ohër, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Ky hap “substancial” dhe “i prekshëm” do të jetë pikërisht dërgimi i draftit për shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese.

Se Kosova do të ndërmarrë hapa “substancial” dhe “të prekshëm” u bë e qartë edhe në letrën e 22 marsit kur Kryeministri, Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeparlamentari Glauk Konjufca, i thanë raportueses Bakoyannis se do t’i zbatojnë të gjitha kërkesat që ajo i ka renditur në raport.

“Do të donim të shfrytëzonim këtë mundësi t’iu informojmë se ne besnikërisht do t’u qëndrojmë listës së angazhimeve/kushteve të dhëna në Apendiksin 1 të letrës tuaj të 21 marsit 2024 për bërjen e Kosovës shtet anëtar në Këshillin e Evropës”.

Asociacioni deri me 10 maj në Gjykatën Kushtetuese?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore