Lajme

Kurti: S’ka vullnet për shkarkimin e kryetarëve në veri – u pa se Serbia mund t’i mbledh 20% por jo edhe 50%


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në “Facebook” pas përfundimit të procesit të votimit në veri, tha se autoritetet kosovare ua dhanë qytetarëve serbë mundësinë që t’i largojnë kryetarët aktual dhe t’i zgjedhin kryetarët e rinj, por që ata nuk e shfrytëzuan të drejtën e votës, duke drejtuar gishtin nga Serbia për daljen e ulët të qytetarëve në votime.

Në orën 19:00 janë mbyllur qendrat e votimit në katër komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – për largimin e katër kryetarëve shqiptarë që u zgjodhën në prill të vitit të kaluar, por ky proces mund të konsiderohet i dështuar për shkak të bojkotimit en masse të komunitetit serb në Kosovë.

“Rezultatet e votimit të sotëm tregojnë që nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktual. 20 për qind të votave të mbledhura nga Lista Serbe për peticionin për të inicuar këtë proces, nuk rezultuan më shumë se aq. Serbia e ka parë që mund t’i mbledh 20 për qind por jo edhe 50 për qind”, deklaroi kreu i ekzekutivit, derisa sugjeroi që t’u urohet pozita kryetarëve.

Kryeministri Kurti kërkoi nga Bashkimi Evropian (BE) që menjëherë t’i largojë masat kufizuese ndaj Kosovës të vendosura në qershor të vitit të kaluar për shkak të përshkallëzimit të tensioneve në pjesën veriore të vendit, ndonëse ndër kushtet e BE-së për largimin e masave është shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri, por jo organizimi i referendumit.

“Mundësimi i shkarkimit të kryetarëve aktual dhe mbajtja e zgjedhjeve për shkarkim ishin kriter kyç për largimin e masave ndaj Kosovës nga ana e BE-së. Këto masa të padrejta, pas votimit të sotëm, duhet larguar sa më parë”, shkroi ai, derisa pretendoi se procesi i sotëm zgjedhor është dëshmi e ambientit të përmirësuar të sigurisë dhe sundimit të ligjit në veri të vendit.

“Në këto tri vite, qeveria ka bërë maksimumin për të luftuar krimin dhe kontrabandën dhe për forcuar sundimin e ligjit. Sipas të dhënave nga terreni, në aspektin e sigurisë situata është raportuar e qetë, pa ndonjë incident të raportuar. Por, ka pasur ndërhyrje të shumta të frikësimit e kërcënimeve nga Serbia”, theksoi kreu i qeverisë, i cili ndodhet jashtë vendit.

Ai pati edhe një porosoi të veçantë për kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut – Ilir Peci dhe Izmir Zeqiri: Ata, urdhëroi kryeministr Kurti, bëjnë mirë që më në fund të shkojnë në zyret e tyre dhe ta ushtrojnë në mënyrë të papenguar detyrën në objektet zyrtare të komunave të Kosovës, ndërsa ata që s’i kanë dashur kryetarët shqiptarë në veri, duhet t’ua urojnë atyre pozitat.

Një numër i vogël i qytetarëve në komunat veriore shfrytëzoi të dielen të drejtën e votës për të votuar për ose kundër shkarkimit të kryetarëve aktualë. Në kulmin e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, partia kryesore e serbëve të Kosovës vendosi që edhe njëherë t’u bëjë presion qytetarëve të komunitetit serb në veri që të mos u përgjigjen proceseve demokratike në vend.

Kreu i KQZ-së njoftoi se në Leposaviq votuan 124 qytetarë nga rreth 13 mijë qytetarë me të drejtë vote apo 0.91 për qind, në Zubin-Potok votuan 18 qytetarë nga rreth 6 mijë me të drejtë vote apo 0.26 për qind, në Zveçan s’ka votuar askush, ndërsa në Mitrovicë të Veriut votuan 111 qytetarë nga rreth 18 mijë me të drejtë vote apo 0.59 për qind – nuk është shënuar asnjë incident.

Pas dëshitimit të votimeve të 21 prillit 2024 në pjesën veriore të territorit kosovar, ku nuk morën pjesë më shumë se gjysma e trupës elektorale në secilën komunë, atëherë iniciativa konsiderohet e dështuar. Për pasojë, kryetarët aktualë shqiptarë nuk do të mund të largohen me iniciativë qytetare për 12 muajt e ardhshëm – minimalisht deri në maj/qershor të vitit 2025.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore