Shqipëria

ZRRE: Mendohet bashkimi i tregut energjetik Kosovë-Shqipëri


Ymer Fejzullahu, Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë

Bashkimi i kapaciteteve për energjinë bazë dhe tregjeve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, po shihet si një nga zgjidhjet e uljes së kostos së energjisë elektrike në të dyja vendet.

Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu, ka thënë se në një treg më të madh, Shqipëria ka kapacitete të energjisë me hidro që janë të domosdoshme për përkrahjen e kapaciteteve të reja të burimeve të ripërtrishme.

Sipas tij, në rezervën terciare nuk ka kapacitete të brendshme dhe të njëjtat i merr nga Shqipëria.

“Të gjitha kapacitetet rezervë për energjinë terciare është duke i ofruar Shqipëria. Shqipëria është duke e ofruar rezervën terciare dhe sekondarë për Kosovën. Ajo na ka ofruar përmes një kontrate që e kemi nënshkruar para dy vjetëve. Bashkimi i tregjeve do ta ulë koston e furnizimit me energji në të dyja tregjet”, ka thënë ai në Interaktiv.

Për Fejzullahun është e pa kuptueshme se si ende nuk janë bashkuar këto dy tregje.

Ai ka shtuar se më parë ka pasur marrëveshje të nënshkruara por implementimi i tyre ka qenë i ngadalshëm.

Por, Fejzullahu vlerëson se ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese është e domosdoshme për Kosovën, marrë parasysh rritjen e konsumit.

“Duhet të kemi kapacitete të reja gjeneruese për të përmbushur apo sado pak t’i afrohemi me kapacitete gjeneruese kërkesës që e kemi në rritje. Në vitet e fundit kemi pasur rritje rreth 40 për qind të konsumit. Domosdoshmërish duhet të kemi kapacitete të reja gjeneruese”.

“Deri tash kapacitete të reja gjeneruese me thëngjill është vështirë të gjendet kostoja për financim, pasi shumica e bankave evropiane nuk ofrojnë kredi për këtë. Energjia bazë është e domosdoshme për një periudhë. Duhet shikuar edhe energjitë alternative nga burime të ripërtritshme”, ka thënë Fejzullahu.

Kostoja e konsumit të energjisë elektrike në Kosovë është rritur për 42 për qind që nga viti 2014.

Fejzullahu tregon se kjo rritje është kryesisht pasojë e konsumit të energjisë nga konsumatorët shtëpiakë.

“Si ZRRE jemi munduar të paktën të ulim koston e sistemit, duke shtyrë konsumatorët të jenë sa më efiçent. Pas ndryshimeve të strukturës tarifore, kemi rritje rreth 42 për qind të konsumit të energjisë elektrike prej vitit 2014. Rritja e konsumit të energjisë është thuajse kryesisht si pasojë e rritjes së konsumit të energjisë te konsumatorët shtëpiakë. E dimë se rreth 60 për qind e energjisë elektrike konsumohet nga konsumatorët shtëpiakë”, ka thënë Fejzullahu.

Ai ka shtuar se po mundohen që konsumatorëve t’u thonë të kursejnë energji dhe se ZRRE e ka obligim që koston ta reflektojë në secilin grup të konsumatorëve.

Sipas Fejzullahut, qytetarët do të paguajnë koston e shërbimit.

Meqenëse ajo blihet 200 euro në tregjet evropiane, në shumicën e rasteve në propozimin pas subvencionit të Qeverisë ata e marrin me 140 euro.

“Konsumatorët do të paguajnë për realizimin. Nëse kostot e furnizimit të energjisë elektrike në vlera aktuale do të jenë më të vogla se ato që i kemi parashikuar, vitin tjetër mjetet do t’iu kthehen konsumatorëve dhe do të reflektohen në tarifat përfundimtare. Në rast se kosto e furnizimit me energji elektrike do të jetë shumë e ulët, kjo do të jetë e mundur”, ka thënë ai.

Për konsumatorët që shpenzojnë 600 kilovat, ai ka thënë se të njëjtit përfitojnë më së shumti.

Ai ka thënë se janë përjashtuar kategoritë që nuk janë aktive. Sipas tij deri në 70 për qind e konsumatorëve shpenzojnë deri në 600 kw.

Në shkurt pritet të dalë raporti final i ZRRE-së lidhje me tarifat e reja

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë pritet që gjatë muajit shkurt të dalë me raport final në lidhje me tarifat e reja të rrymës.

Kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, thotë se do të mundohen t’u përgjigjen komenteve sa më shpejt që është e mundur dhe do të bëjnë që në përpjekje të dalin me vendim në lidhje me tarifat e reja.

“Do të mundohemi sa më parë t’u përgjigjemi komenteve, të dalim me raport final. Do të bëjmë përpjekje për ta bërë këtë në shkurt. Por varet se sa shpejt do të mund t’u përgjigjemi komenteve”.

“Domosdoshmërish në bazë të raportit konsultativ shihet se kemi pasur rritje të kostove të energjisë, rrjedhimisht duhet të ketë rritje të faturave. Jo se e dëshirojmë ne, por jemi të obliguar në bazë të ligjit që të reflektojmë koston e sistemit. ZRRE-ja nuk ka fonde. Shumica e konsumatorëve janë të frustruar me rritjen, e kuptoj, por është kosto e sistemit”, ka thënë Fejzullahu.

Fejzullahu beson se kanë qenë tre faktorë që kanë çuar te kjo situatë. E para ka qenë rritja enorme e konsumit të energjisë, e dyta rritja e paprecedent e çmimeve në treg, duke u shtrenjtuar madje deri shtatëfishtë. Dhe e treta faktori i rënieve të njësive të termocentraleve Kosova A dhe Kosova B gjatë dhjetorit.

“Janë kosto të sistemit. E kemi obligim të mbulojmë ato. Me rëndësi është të theksojmë se mesatarisht në Kosovë vitet e kaluar shpenzimet për importim të energjisë kanë qenë 20-30 milionë euro. E nganjëherë 50 milionë. Por në vitin 2021 arritën në 157.6 milionë euro. Kjo duhet reflektuar, jo pse e kemi dëshirë të rrisim koston, por duhet mbuluar”, ka thënë Fejzullahu.

Energjia në veri është çështje politike

Çështja e pagesës së energjisë së konsumuar nga banorët e katër komunave me shumicë serbe, në Veri të vendit është kryesisht politike, vlerëson Kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.

Në veri të Kosovës, qytetarët nuk kanë paguar asnjëherë që nga paslufta.

Energjinë e shpenzuar nuk e kanë paguar edhe disa zona në pjesën jugore deri në vitin 2009.

Fejzullahu ka shtuar se ky proces është diskutuar edhe në Bruksel dhe është çështje politike e cila ka kaluar në instanca tjera.

“Ky aspekt është duke u trajtuar në Bruksel dhe shpresoj që të mbyllet sa më shpejtë. Ne si ZRRE kemi qenë pjesë e delegacioneve në Bruksel. Por ende nuk kemi ardhur te një zgjidhje përfundimtare. Duhet me pas parasysh se atje ka një kategori e konsumatorëve shqiptarë që nuk paguajnë. Është vërtetë e padrejtë por ky është realitet në të cilin po jetojmë”, ka thënë ai.

Sipas tij, në të kaluarën ka pasur disa marrëveshje por realizimi i tyre nuk ka ndodhur asnjëherë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore