Lajme

Zgjidhja mesjetare holandeze për përmbytjet


Në Holandë, përmbytjet e verës u përshkruan si më të këqijat në një shekull. Dëmet materiale ishin të rënda, megjithatë vendi u mbijetoi përmbytjeve pa asnjë fatalitet të vetëm.

Për këtë ka shumë arsye. Qoftë evakuimet e shpejta, digat e forta dhe komunikimi i fortë mes tyre, dallon agjencia e lajmeve “BBC”.

Por çka mbështet këto forma të ndryshme të mbrojtjes nga përmbytjet janë të ashtuquajturat institucione, “bordet e ujit”. Ato kanë mbrojtur tokën e mbytur në ujë për gati një mijëvjeçar.

Këto shoqata ia vlen të kuptohen për mënyrën se si ato përziejnë demokracinë lokale, taksat e drejtpërdrejta dhe transparencën e qartë kristal për të vendosur ujin në thelbin e jetës holandeze.

Dhe Holanda nuk është vetëm.

Nga malësitë e Etiopisë deri te komunitetet përgjatë Danubit, menaxherët e ujit në mbarë botën kanë huazuar aspekte të modelit holandez për nevojat e tyre, duke përmirësuar jetën për mijëra njerëz gjatë kohës.

Atyre mund t’u bashkohen edhe rajone të tjera, pasi vendet në mbarë botën përballen me rritjen e përmbytjeve dhe veçanërisht atyre që vijnë nga ndryshimet klimatike.

Në rrugën 167 Oude Delft, shihen lehtë stemat, dritaret delikate me panele, fasada madhështore gotike e përfunduar në vitin 1505. Aty ndodhet selia e bordit lokal të ujit, ku Piet-Hein Daverveldt shërben si kryetar.

E njohur në holandisht si waterschap ose hoogheemraadschap, ndërtesa elegante mendohet se i ka rrënjët në shekullin e XII-të.

“Fermerët, në veçanti, duhej të bashkoheshin për të mbrojtur tokën e tyre”, ka shpjeguar autorja Tracy Metz, duke shtuar se “çdo zinxhir është po aq i fortë sa hallka e tij më e dobët, kështu që ka pasur presion të përbashkët për të gjithë që të bëjnë çmos për ta mbajtur tokën bujqësore të thatë”.

Në ditët e sotme, veçon “BBC”, e gjitha ka sërish rëndësi sepse gati një e treta e tokës dhe gjysma e shtëpive janë ende nën nivelin e detit.

Ashtu si paraardhësit e tyre mesjetarë, bordet e ujit ende mbledhin fonde në mënyrë të pavarur. Familjet paguajnë përgjithësisht dy lloje taksash: komunës së tyre dhe bordit të tyre të ujit.

Dhe kjo pavarësi vjen me përfitime të dukshme financiare. Ndryshe nga vende të tjera, modeli holandez “garanton” se arkat janë gjithmonë plot, shpjegon Sturm, menaxheri i programit në Blue Deal, organi që promovon ekspertizën holandeze të ujit jashtë vendit.

Kjo pasqyrohet edhe në statistika. Bordet e ujit gjenerojnë deri në 95 për qind të buxheteve nëpërmjet taksave.

Njëherazi, bordet vazhdojnë traditën e tyre të gjatë të qeverisjes së hapur dhe të zgjedhur. Shumica e pozitave të bordit zgjidhen drejtpërdrejt nga publiku, megjithëse disa prej tyre janë ende të destinuara për interesat e korporatave në industri, bujqësi dhe mjedis.

Megjithatë, lokalizmi është i dobishëm sepse promovon investimin dhe monitorimin transparent. Prandaj dhe, bordet janë të pajisura me ekspertë, të zgjedhur për të kuptuar lokalitetin e tyre.

Ndarja u shfaq këtë verë, kur bordet miratuan taktika të ndryshme për të luftuar përmbytjet.

Në Rivierenland, të kryqëzuar nga rrugët ujore, stafi nxitoi për të inspektuar mbushjen e digave lokale. Në Limburg, i shtrirë midis Belgjikës dhe Gjermanisë, bordi ka propozuar një qasje përfshirëse për të mbuluar të tre vendet.

Mirëpo, holandezët janë të kujdesshëm që të mos i eksportojnë metodat e tyre me shumicë dhe përpiqen të sjellin edhe mësime të vlefshme në shtëpi.

Në vend, zyrtarët holandezë dhe lokalë i kanë inkurajuar fermerët e vegjël që të bashkohen me shoqatat lokale të përdoruesve të ujit, duke u dhënë atyre fuqi kolektive për të negociuar me shtetin dhe industrinë.

E njëjta gjë vlen edhe për vendet më afër Holandës. Mirela Ciucur është kryetarja e çështjeve ekonomike në Administratën Kombëtare të Ujërave Rumune.

“BBC” tregon se ajo ka parë ndikimin e modelit holandeze në vendlindjen e saj, veçanërisht kur bëhet fjalë për qeverisjen e mirë.

Historikisht, shpenzimit të taksave rumune të ujit i mungonte transparenca, ka sqaruar Ciucur.

Kështu, duke marrë hua modelin nga Holanda, Ciucur zhvilloi një “model të analizës ekonomike” për të kuptuar saktësisht se çfarë parash duheshin, nga mbrojtja nga përmbytjet deri te mirëmbajtja e plazhit.

Përveçse është më transparente, kjo qasje e shtyn Rumaninë drejt modelit të “rikuperimit të kostos”, kaq të suksesshëm në Holandë.

Ciucur është e bindur për nevojën e sistemit holandez. Ajo shpreson se “jemi në gjendje të jemi pranë modelit të tyre të suksesit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore