Shqipëria

Zgjedhjet në Kukës: Thellon diferencën kandidati i mazhorancës


Mesa duket, zgjedhjet në Bashkinë e Kukësit nuk do të rezervojnë surpriza as pas votimit të 24 shtatorit për administratorin e radhës të qytetit.

Nga 60 Qendra Votimi të numëruara në total, kandidati i Partisë Socialiste, Albert Halilaj udhëheq ndjeshëm me 10 mijë e 655 vota ose 63.38 për qind të votave.

Në anën tjetër, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Emri Vata, ka arritur të marrë 4 mijë e 498 vota më pak (6 mijë e 157 vota) ose 36.62 për qind të tyre sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Zgjedhjet në Kukës u mbyllën me një pjesëmarrje prej 45.63 për qind të votuesve, sa është raportuar aktualisht në 55 nga 74 qendra votimi, të cilat e kanë përmbyllur procesin zgjedhor dhe presin nisjen e numërimit.

Në krahasim me 14 majin 2023, kur votimet vendore u mbajtën në gjithë Shqipërinë, këto të 24 shtatorit kanë rezultuar me më pak përqindje për kuksianët.

Më 14 maj, ata votuan në masën 51.78 për qind dhe zgjodhën Safet Gjicin si kryetar. Por, një videoskandal i këtij të fundit, i publikuar vetëm pak javë pas zgjedhjeve, bëri që të shkarkohej nga detyra.

Megjithatë, procesi në Kukës ka qenë tejet i qetë dhe me pak raste të denoncuara publikisht nga opozita.

Një i tillë, ishte ai i shefit të shtabit të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” ndërkaq, Ardian Elezi, denoncoi mesditën e djeshme prezencën e përfaqësuesve të PS-së pranë qendrave të votimit.

Ai tha se drejtorë shkollash, të hipotekës, postës po intimidojnë votuesit.

Gjithsesi, këto akuza mbeten të pafaktuara ende dhe të pa komentuara nga KQZ-ja.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, prej një qendre votimi në Bashkinë Kukës, deklaronte ndërkaq se i gjithë procesi u zhvillua i qetë.

Përmes një publikimi të shpërndarë në median sociale X, njohur më parë si Twitter, ai ka theksuar se në të gjitha pikat ku qytetarët shprehin vullnetin e tyre, qendrat kanë funksionuar normalisht.

“Procesi vijon i qetë, identifikimi biometrik rezulton pa probleme, të gjitha qendrat e votimit po funksionojnë krejt normalisht, ndërkohë i bëjmë thirrje zgjedhësve të dalin masivisht për të ushtruar vullnetin e tyre”, përkufizoi Celibashi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore