Lajme

Zgjedhje, protesta, autoritarë në rritje – Çka ndodhi në rajon në 2023-në?


Foto: Albanian Post

Zgjedhje parlamentare e presidenciale, ndryshime radikale në skenën politike, përfundime karrierash, kërcënime për de-stabilitet, protesta masive, autoritarë në rritje, përpjekje për integrime evropiane, është përmbledhja e ngjarjeve më të rëndësishme që e shoqëruan rajonin përgjatë vitit 2023.

Me një Serbi që vazhdoi politikat e saj de-stabilizuese në raport me Kosovën, me një udhëheqës autoritar që vazhdon të bëhet më i vrazhdë çdo ditë, me një Mali të Zi që u përballë me zgjedhje presidenciale e parlamentare, ku “zoon politikon” më i madh që ka njohur Ballkani Perëndimor nuk mbretëron më, me një Bosnje e Hercegovinë që kërcënohet vazhdimisht për ndarje nga separatisti Millorad Dodik, me një Maqedoni të Veriut që u nda në dy blloqe; një që shtyu përpara integrimet evropiane, e tjetra që përpiqej që t’i bllokonte.

Le t’i marrim me radhë, ku çfarë ndodhi?

Serbia

Serbia përgjatë vitit 2023 nuk pati dallime sa i përket modelit të qeverisjes. Aleksandër Vuçiç, president i Serbisë, vazhdon të “mbretërojë”.

Ai do të vazhdonte qasjen e tij destruktive me Kosovën, madje këtë vit edhe në përmasa më të mëdha. Do të nxiste serbët e Kosovës që të organizonin protesta të dhunshme, pasi që i kishte detyruar që të braktisnin të gjitha institucionet kosovare në nëntor të 2022.

Në maj, përkatësisht më 29 maj, serbët e Veriut, të nxitur nga regjimi në Beograd, duke kundërshtuar zgjedhjen e katër kryetarëve shqiptarë në komunat Veriore – pasi që vetë ata i kishin bojkotuar zgjedhjet e 23 prillit – kishin sulmuar ushtarët e KFOR-it, duke lënë të lënduar dhjetëra prej tyre.

Pamje gjatë përleshjes.

Kulmi do të arrinte më 24 shtator, kur një grup paramilitarë serb më në krye njeriun e afërt të Vuçiç-it, kryekriminelin Milan Radojiçiç, i mbështetur e financuar nga Serbia do të sulmonte Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Ndërsa, në rrafshin e brendshëm, Serbia, në maj do të tronditej, e bashkë më të edhe pushteti i Vuçiç-it.

Dy ngjarjet tragjike që do të ndodhnin në Beograd, përkatësisht më 3 dhe 5 maj, do të bënin që të organizoheshin protesta masive që do të zgjasnin muaj me radhë.

Fillimisht, Serbia, dhe jo vetëm, do të tronditej kur një nxënës 13-vjeçar do të qëllonte për vdekje tetë bashkëmoshatarë të tij dhe një roje sigurimi në një shkollë fillore në Beograd.

Autori u identifikua nga autoritetet serbe. Ishte Kosta Keçmanoviç, nxënës në atë shkollë që nga viti 2019. Nga autoritetet serbe u tha se ai kishte përdorur dy armë të babait të tij për të kryer sulmin dhe se ishte përgatitur për këtë akt për rreth një muaj.

Për shkak të moshës së re, Keçmanoviç s’do të përballej me akuza penale, por ishte vendosur në një institucion psikiatrik, derisa edhe prindërit e tij ishin arrestuar.

Pikërisht kur Serbia po përgatitej për t’i mbajtur tri ditë zie për këtë rast tejet të rëndë, në mëngjesin e së premtes do të ndodhte një ngjarje terroriste me përmasa pothuajse si ajo e para.

Si pasojë e të shtënave tetë persona kishin mbetur të vdekur, ndërsa 13 të plagosur. Ngjarja e rëndë kishte ndodhur në jug të Beogradit.

Policia serbe ishte vënë menjëherë në kërkim të të dyshuarit, që ishte një djalë 21-vjeçar, i cili ishte arrestuar.

Vetëm pas disa ditësh, qytetarët serbë do të organizoheshin në protesta masive, si revoltë ndaj reagimit të institucioneve serbe për këto ngjarje.

Madje, do të formohej një front opozitar që do të quhej “Serbia kundër dhunës”, të cilët çdo të premte do të organizonin protesta. Pjesëmarrja ishte e jashtëzakonshme.

Pamje në një nga protestat e “Serbia kundër dhunës”.

Fillimisht kërkesat e protestuesve ishin që të ndalohej urgjentisht promovimi i mëtejshëm i dhunës në media dhe hapësirën publike, duke përfshirë shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Autoritetit Rregullativ të Mediave Elektronike (REM).

Ata kishin kërkuar gjithashtu mbylljen e mediave të shkruara dhe tabloideve që promovonin urrejtje dhe dhunë dhe shkelin vazhdimisht kodin e etikës së gazetarëve, si dhe heqjen e licencave të transmetimit kombëtar të stacioneve televizive që promovojnë dhunën, si TV Pink dhe TV Happy, të afërt me pushtetin në Serbi.

Protestuesit gjithashtu kishin kërkuar edhe dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Bratislav Gasiç dhe drejtorit të Agjencisë së Sigurisë (BIA), Aleksandër Vulin – tanimë i dorëhequr, pas sanksionimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

Por, shumë shpejt kërkesat do të kalonin edhe në nivel politik. Do të shkonin deri aty sa do kërkonin edhe dorëheqja e presidentit Aleksandër Vuçiç – i cili duke parë rrezikun nga protestat masive do të thërriste anti-mitingun e tij më 26 maj.

Të gjendur në këtë situatë, pushteti i SNS-së së Vuçiç-it, pra nga protestat e opozitës dhe kundërshtimet e mëdha nga radhët e shoqërisë civile, do ta shtynin qeverinë e Ana Branbiç-it që të jepte dorëheqje.

Zgjedhjet e reja parlamentare (pjesërisht edhe komunale, përfshirë Beogradin, dhe krahinore) u caktuan. 17 dhjetori ishte data. Forcat kryesore ishin dy: SNS-ja e cila ka që 10 vjet në pushtet, dhe koalicioni “Serbia kundër dhunës”, që ishte krijuar që nga koha e organizimit të protestave pas ngjarjeve tragjike.

Fushata do të dominohej totalisht nga SNS-ja. Ka gjithçka në kontroll, duke përfshirë pjesën dërrmuese të mediave.

Zgjedhjet përfunduan, ato e nxorën partinë e Vuçiç-it fituese me mbi 40 për qind. Por, të njëjtat u kontestuan, dhe tani jo vetëm nga opozita.

Bashkësia ndërkombëtare, e informuar nga vëzhguesit e saj dhe jo vetëm, pasi pa parregullsitë  e shumta që SNS-ja bëri, kërkoi që të hetohen të gjitha pretendimet e mundshme për manipulime me vota.

Nga ana tjetër, koalicioni opozitar nuk i njohu këto zgjedhje, po kërkon ripërsëritje të tyre, pasi që, sipas tyre, posaçërisht në Beograd, votat janë vjedhur në përmasa enorme.

E, Vuçiç hedh poshtë akuzat e opozitës. Madje, ai dhe zyrtarët e tjerë të lartë të Serbisë kanë akuzuar perëndimin se po tenton të nxisë trazira në Serbi, një version i ngjashëm me atë të Federatës Ruse – aleate tradicionale e Serbisë.

Sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, përgjatë këtij viti janë arritur disa marrëveshje.

Fillimisht në Bruksel, e më pas në Ohër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e presidenti serb Vuçiç do të dakordoheshin për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.

Akorduar me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare, përmes 11 neneve që përmbante Marrëveshja Bazë, Bashkimi Evropian e SHBA-të besonin se kanë gjetur zgjidhjen përpara.

Aty Kosova – pos tjerash – pranonte që t’i zbatonte të gjitha marrëveshjet e arritura me herët, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe pajtimin për një status special për Kishën Ortodokse Serbe.

Serbisë i kërkohej që të mos e pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe përgjithësisht njëfarë njohje de-facto të shtetësisë.

Takimi i Albin Kurtit me Aleksander Vuçiç-in në Ohër.

Mirëpo, dakordimi – deri më tani – ka mbetur vetëm në letër, palët s’kanë bërë pothuajse aspak progres në jetësimin e asaj që e kanë pranuar.

Serbia nuk ka bërë përparim as sa i përket integrimit evropian. Tani do të kushtëzohet edhe me zbatimin e Marrëveshjes Bazë (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars) me Kosovën.

Vendet anëtare të BE-së do të prozojnë që në kornizën negociuese të Serbisë për anëtarësim në Union të përfshihet edhe zbatimi i Marrëveshjes Bazë, dhe të gjitha obligimeve të tjera të dalura në kuadër të dialogut me Kosovën.

Pra, vendet e BE-së do të propozojnë që Marrëveshja Bazë të jetë pjesë e negociatave të kapitullit 35-të të Serbisë me BE-në.

Por, Serbia ka dhënë sinjalet e saj se nuk do ta zbatojë këtë marrëveshje. Kryeministrja Brnabiç u ka dërguar një letër Unionit, në të cilën i ka bërë me dije se nuk do ta zbatojë në tërësinë e saj marrëveshjen në fjalë, çka do nënkuptonte bllokim të procesit në rrugën evropiane të Serbisë.

Mali i Zi

Viti 2023 në Mal të Zi do të shoqërohej me procese zgjedhore, të cilat do të bënin që të ndryshonte pas shumë dekadash konfiguracioni politik malazez.

Së pari do të mbaheshin zgjedhjet presidenciale.

Favorit absolut ishte Milo Gjukanoviç, i konsideruar si “zoon politikon” më i madh që ka parë Ballkani Perëndimor, kjo për faktin që kishte plotë 33 vite që udhëhiqte me Malin e Zi, në pozita të ndryshme, herë kryeministër, herë president.

Raundi i parë i zgjedhjeve do të mbahej më 19 mars.

Gjukanoviç, kandidati nga radhët e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) rezultoi më i votuari me 35.2% të totalit në favor të tij.

Ajo që nuk pritej gjithsesi, ishte fakti se konkurrent do të kishte kandidatin e Lëvizjes Evropa Tani (PES) – parti e formuar së voni – Jakov Milatoviç, i cili kishte arritur të marrë 29.2% të votave.

Milo Gjukanoviç dhe Jakov Milatoviç.

E papritura më e madhe do të ndodhte më pas. Në balotazh.

2 prilli, dita kur malazezët kishin për të zgjedhur në mes të veteranit Gjukanoviç, i cili u kishte prirë atyre për më shumë se tri dekada, në kohë të ndryshme, dhe një eksperti financiar, i orientuar drejt qendrës së djathtë, me shkollim jashtë vendit, Jakov Milatoviç-it.

Pritjet e shumë kujt ishin që Gjukanoviç do të rizgjidhej, por realiteti në kutitë e votimit ishte tjetër.

36 vjeçari Milatoviç – për habinë e shumë kujt – arriti që ta mposhtë Gjukanoviç-in, duke fituar kështu besimin e mbi 60 për qind të qytetarëve malazezë.

Humbja e zgjedhjeve presidenciale do ta shtynte Gjukamoviç-in që vetëm tri ditë pas zgjedhjeve, pra më 5 prill, të jepte dorëheqje nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Socialistëve, të cilën e kishte udhëhequr që nga viti 1998.

Zgjedhjet presidenciale do të pasoheshin me ato parlamentare.

11 qershor ishte caktuar data. Pretendentët kryesorë për të fituar ishin dy parti. Të njëjtat që shkuan në balotazh në zgjedhjet presidenciale. Ndryshimi në këtë rast ishte vetëm tek kandidatët.

Nga Lëvizja “Evropa Tani”, kandidat për kryeministër ishte kryetari i saj, ekonomisti Milojko Spajiç, ndërsa nga Partia Demokratike e Socialistëve, ushtruesi i detyrës së kryetarit, Danijel Zhivkoviç.

Fitorja do të ishte përsëri e Lëvizjes “Evropa Tani”. Kjo forcë e re politike, një lëvizje centriste, arriti që të marrë 25.53 për qind të votave, e përkthyer në mandate 24, derisa DPS-ja fitoi 23.22 për qind (21 mandate).

Pos tyre, 81-shi i ulëseve të parlamentit malazez do të plotësohej me 13 mandatet (14.74%) e koalicionit “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro ruso-serb – 11 deputetët e koalicionit “Guximi numërohet” i udhëhequr nga Demokratët e Aleksa Beçiçit dhe Lëvizja Qytetare URA e Dritan Abazoviç-it.

Në këto zgjedhje garuan edhe dy lista të shqiptarëve. Forumi Shqiptar, i prirë nga Nik Gjeloshaj, kishte arritur të fitojë rreth 2 për qind të votave (2 mandate), ndërsa Aleanca për Shqiptarët kishte fituar rreth 1.3 për qind (1 mandat).

Numër të konsiderueshëm të mandateve kishin marrë edhe boshnjakët. Gjithsejtë 6, ndërsa kroatët vetëm 1. Edhe lista e Vladimir Jokoviç-it kishte arritur që të marrë 2 deputetë, duke rrumbullakuar kështu 81-shin.

Por, sfidë do të ishte krijimi i qeverisë së re. Spajiç nuk e kishte shumicën e thjeshtë, i duheshin 41 deputetë për t’u bërë kryeministër, i kishte vetëm 24. Koalicioni ishte i domosdoshëm.

Në këtë drejtim, ai do të fillonte negociatat me paritë parlamentare. Spajiç, fillimisht kishte përjashtuar çfarë do mundësie që të bashkëpunonte me DPS-në, me Lëvizjen Qytetare “URA” të Abazoviç-it, dhe koalicionin “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” – për shkak të qëndrimeve të tyre tejet problematike në shumë çështje që përcaktojnë të ardhmen e këtij vendi ballkanik.

Qeveria e tij – fillimisht – parashihej që të krijohej vetëm me pakica. Por, duke qenë se në një situatë të tillë, ekzekutivi i tij do të ishte fragjil për nga numrat, muaj pas tentativave dhe rezistencës, ai doli nga parimet e tij dhe vendosi që të negociojë me forcat që kanë orientime pro ruse.

Si rezultat i këtyre negociatave, Spajiç do të arrinte marrëveshje politike që do t’i mundësonte atij të jetë në krye të ekzekutivit malazez.

Por, për ta jetësuar qëllimin e tij, ai duhet të bënte kompromis, jo të vogël.

Andrija Mandiç-in, kryetarin e “Demokracisë së re Serbe”, njëherit njërin nga liderët e koalicionit “Për të Ardhmen e Malit të Zi”, i njohur për qëndrimet e tij anti-perëndimore, i cili e konsideron Vladmir Putin-in e Rusisë si president të tij, ta bënte kryetar të kuvendit, dhe e bëri.

Zgjedhja e pro rusit kryetar kuvendi nuk i pëlqeu aspak bashkësisë ndërkombëtare, posaçërisht BE-së dhe SHBA-ve, mirëpo kjo ia hapi rrugën Spajiç-it të formonte ekzekutivin.

Spajiç do të zgjidhej kryeministër i Malit të Zi në orët e para të mëngjesit të 31 tetorit.

Për zgjedhjen e tij në krye të qeverisë së 44-të malazeze votuan 46 deputetë pro, 19 kundër dhe një abstenim.

Për zgjedhjen e qeverisë së re votuan deputetët e PES-it, koalicionit “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, Demokratëve, Partisë Popullore Socialiste dhe partive shqiptare.

Në kabinetin e tij, janë edhe tre shqiptarë, madje një prej tyre, bartësi i listës së Forumit Shqiptar, ish-kryetari i Tuzit – komunë e banuar me shumicë shqiptare – Nik Gjeloshaj, është zëvendëskryeministër.

Kabineti i Milojko Spajiç-it.

Spajiç në pozitën e kryeministrit e ka zëvendësuar Dritan Abazoviç-in e Lëvizjes Qytetare “URA”, i cili së bashku me Partinë Demokratike të Socialisteve dhe boshnjakët janë në opozitë.

Spajiç ka premtuar se qeverisja e tij do të fokusohet në reformat ekonomike dhe në integrimin evropian.

Bosnje e Hercegovina

Pas Kosovës, vendi i dytë ku tendencat dhe përpjekjet për de-stabilizim kanë qenë reale është Bosnje e Hercegovina.

Aty, presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, kërcënoi hapur dhe vazhdimisht se do ta shkëpusë RS-në nga BeH.

Veprimet dhe qëndrimet e tij – në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit (marrëveshja që i dha fund luftës në BeH, më 1995), por tejet ishin serioze – bën që bashkësia ndërkombëtare t’ia tërheqë vërejtjen seriozisht, dhe ta paralajmëroi për pasojat në rast të veprimeve secesioniste.

Dodik, për veprimet dhe retorikën de-stabilizuese ishte sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 5 janar 2022, por edhe më 17 korrik 2017. Arsyeja e thjeshtë: për pengim të Marrëveshjes së Dejtonit. Po ashtu, ai është i sanksionuar edhe nga Britania e Madhe, derisa edhe BE-së vazhdimisht i kërkohet që ta bëjë një hap të tillë.

Më 2023, sanksione do t’u vendoseshin edhe fëmijëve të tij, Igor dhe Gorica Dodik, për shkak të favorizimeve financiare që pushteti i babait të tyre u kishte bërë atyre.

Për ta treguar vendosmërinë e tyre ndaj ruajtjes së integritetit dhe sovranitetit të BeH-së, SHBA-të më 31 korrik, kishin vendosur sanksione edhe ndaj anëtares serbe të Presidencës së BeH-së, Zhelka Cvijanoviç, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë nga Republika Srpska, për shkak të minimit të Marrëveshjes së Dejtonit.

Në listën e sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit janë futur edhe kryetari i Parlamentit të Republikës Srpska, Nenad Stevandiç, kryeministri i këtij entiteti, Radovan Vishkoviç dhe ministri i Drejtësisë në Republikën Srpska, Millosh Bukejlloviç.

Thesari amerikan, në njoftimin e tyre thoshte se zyrtarët e sanksionuar janë drejtpërdrejtë përgjegjës për inkurajimin e miratimit të vendimeve nga Asambleja Kombëtare e entitetit të Republikës Srpska për të shpallur vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës si të pavlefshme në këtë entitet

Problemet e Dodik-ut – aleatë i ngushtë me Vladimir Putinin e Rusisë – me bashkësinë ndërkombëtare do të reflektoheshin edhe brenda vendit.

Millorad Dodik

Ai do të kontestonte përgjatë gjithë këtij viti autoritetin e Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje e Hercegovinë (i caktuar në bazë të Marrëveshjes së Dejtonit), Christian Schmidt, të cilin e quante “përfaqësues të rremë”.

Madje, Dodik kishte marrë vendim për t’ia ndaluar hyrjen në Republikës Srpska – çka ishte dënuar ashpër nga ndërkombëtarët – Schmidt-it, dhe kërcënonte se në rast se ai hyn në këtë entitet do të arrestohej ose depërtohej.

Schmidt, në bazë të kompetencave që i ka nga Marrëveshja e Dejtonit, edhe mund ta shkarkojë Dodik-un – gjë që i është kërkuar, posaçërisht nga politikanët boshnjakë – mirëpo deri më tani ai ka refuzuar për ta shfrytëzuar këtë kompetencë, ndonëse presidenti autoritar i RS-së nuk i zbatonte vendimet e tij.

Për shkak të Dodik-ut, BeH nuk mund që t’i thellojë marrëdhëniet me Kosovën, pra që të njohë pavarësinë e saj. Kjo për faktin se Republika Srpska përdor veton që ka në presidencën trepalëshe të RS-së (boshnjake, serbe dhe kroate).

Autoritetet e RS-së pengojnë edhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të Procesit të Berlinit – nismë e iniciuar nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, që ka për qëllim afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në – si ajo për lëvizjen e lirë. Shkak, sipas tyre, Kosova – e cila është pjesë e këtij procesi.

Sa i përket integrimeve evropiane, BE-ja i ka kërkuar më 2023-ën BeH-së që të bëjë më shumë reforma në mënyrë që të mundë t’i fillojë bisedimet për anëtarësim në këtë bllok.

BeH e kishte marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2022, por, sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, asaj i kanë mbetur edhe disa kritere për t’i përmbushur në mënyrë që të mundë të hapen bisedimet për anëtarësim.

Komisionari i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Verhelyi, e ka përmendur pranverën e vitit 2024 si afatin kur do të mundë të miratohej një vendim për nisjen e negociatave të anëtarësimit për Bosnjën.

Maqedonia e Veriut

Zhvillimet nuk kanë qenë të shumta, por çështja me të cilën është përballur këtë vit Maqedonia e Veriut është jetike për të ardhmen e saj.

Procesi i ndryshimeve kushtetuese – të domosdoshme për integrimin e këtij vendi në BE.

Futja e bullgarëve në preambulën e Kushtetutës maqedonase është kusht i patejkalueshëm që Bullgaria ia ka vënë Maqedonisë së Veriut në lidhje me procesin e anëtarësimit të kësaj të fundit në BE.

Me 18 gusht është hapur zyrtarisht seanca parlamentare për këto ndryshime, por ajo ishte ndërprerë, pasi mazhoranca (LSDM, Bashkimi Demokratik për Integrim, Aleanca Shqiptare dhe Partia Demokratike Shqiptare) nuk i kishin numrat.

Nga 120 deputetët në Kuvendin e Maqedonisë Veriore për ndryshime të Kushtetutës duhen së paku 80 deputetët. Partitë që udhëhiqnin kishin 68 deputetë.

Partitë opozitare, më e madhja VMRO-DPMNE ishte kundër ndryshimeve të kërkuara.

Duke qenë një problem me shumë nyje, Maqedonia e Veriut aktualisht po kalon një nga proceset më të rëndësishme sa i përket procesit të integrimit evropian.

Mossigurimi i numrave për t’i shtyrë këto procese përpara ka bërë që mazhoranca të mos mund t’i miratojë ndryshimet e nevojshme kushtetuese.

Përpjekjet do të vazhdojnë në 2024.

Tanimë janë caktuar edhe zgjedhjet e reja parlamentare, pasi që shumicës aktuale i ka përfunduar mandati 4-vjeçar.

Subjektet politike në Maqedoni të Veriut kanë rënë dakord që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 8 maj të vitit 2024, por ajo çka është shumë e rëndësishëm për një pjesë të popullsisë që jeton në këtë vend, për atë shqiptare, është personi që do ta udhëheqë qeverinë teknike.

Për herë të parë në histori qeveria e Maqedonisë së Veriut do të udhëhiqet nga një shqiptar. Talat Xhaferi.

Kryetari aktual i kuvendit të Maqedonisë, që vjen nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) – subjekti më i madh politik shqiptar atje – nga 28 janari do të jetë kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Kjo ka ardhur si derivat i marrëveshjes qeverisëse në mes të LSDM-së – partisë më të madhe maqedonase e dalur në zgjedhjet e 2020-ës – dhe BDI-së, ku parashihej që në 100 ditët e fundit të qeverisjes, kryeministri të jetë shqiptar – për herë të parë në histori.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore