Lajme

Zëvendëskryeministri Bislimi udhëton në Hagë


Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar këtë të enjte për vizitë në Hagë të Holandës.

Siç njofton zyra e kryeministrit, gjatë kësaj vizite zyrtare, ndër të tjera, zëvendëskryeministri Bislimi do të ketë bashkëbisedim me deputetët e Komisionit për Çështje Evropiane të Parlamentit të Holandës si dhe vizitë në Këshillin Ekonomik dhe Social (SER).

Kjo vizitë e Bislimit në Hagë vjen një ditë pas takimit që ai e kishte me të Dërguarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në Bruksel.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Lajçak tha se me Bislimin ka diskutuar për përgatitjet e takimit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut.

“Falenderoj zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi për takimin, sot në Bruksel. Ne patëm një diskutim të gjatë dhe përmbajtjesor në përgatitjen e takimit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut javën e ardhshme. Fokusi ynë kryesor ishte avancimi i normalizimin të marrëdhënieve”, ka shkruar Lajçaku.

Ndërkaq, shefi i ekipit negociator të palës kosovare për çështje teknike, nëpërmjet llogarisë së tij, ka thënë se Qeveria e Kosovës mbetet palë konstruktive në dialog, ndërsa ka shtuar se Marrëveshja Bazë (Bruksel, 27 shkurt – Ohër, 18 mars) duhet të zbatohet pa vonesa të mëtejme.

“Bisedime për procesin e dialogut sot para takimit të nivelit të lartë javën e ardhshme.Kosova mbetet konstruktive dhe insiston në sigurimin e barazisë së plotë të palëve në dialog. Marrëveshja Bazë duhet të zbatohet në tërësi dhe pa vonesë. Jetike që plani i sekuencimit të jetë i drejtë dhe i balancuar”.

Bislimi takohet me Lajçakun në Bruksel, në fokus takimi i 14 shtatorit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore