Lajme

Zelenskyy kërkon më shumë ndihmë ushtarake gjatë vizitës në Bullgari


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka thënë gjatë një udhëtimi në Bullgari se Sofja ka rënë dakord të bashkëpunojë në mënyrë më aktive në sektorin e mbrojtjes.

Kjo, pasi Kievi po kërkon të forcojë mbështetjen midis anëtarëve të NATO-s për kundërsulmin e tij të vazhdueshëm.

“Ne diskutuam për ndihmën ushtarake që Bullgaria i jep vendit tonë”, ka treguar Zelenskyy gjatë një konference të përbashkët shtypi me kryeministrin bullgar, Nikolai Denkov.

“Ne llogarisim vazhdimin e bashkëpunimit, i cili tashmë ka shpëtuar shumë jetë”, ka shtuar ai.

Bullgaria ka një rezervë të madhe armësh të epokës sovjetike dhe baza e saj e prodhimit të armëve lidhet relativisht pa probleme me sistemet në përdorim në Ukrainë.

Por dërgesat e armëve nga vendi lindor i BE-së kanë qenë të ngadalta dhe janë kryer kryesisht nëpërmjet ndërmjetësve.

Kjo pjesërisht për shkak të këmbënguljes së presidentit bullgar që Sofja të përmbahet nga armatosja e Kievit.

Një qeveri e re pro-perëndimore në Bullgari, e cila mori detyrën në maj, është zotuar të përshpejtojë dërgesat dhe të eliminojë ndërmjetësit.

Madje, parlamenti bullgar ka miratuar një plan për të përshpejtuar rimbushjen e rezervave shtetërore të armëve dhe municioneve, duke hapur rrugën për dërgesat në shkallë të gjerë në Ukrainë.

Partia pro-ruse, e ekstremit të djathtë, Rilindja e Bullgarisë, e ka përshkruar vizitën si një provokim.

Kurse Kremlini ka thënë se vizita e Zelenskyy-t tregoi se Kievi po bënte gjithçka që mundej për të tërhequr sa më shumë vende të jetë e mundur në konflikt.

Politikanët bullgarë kanë vizituar Kievin gjatë vitit të kaluar, por ky ishte udhëtimi i parë i Zelenskyy-t në Bullgari që nga pushtimi në shkallë të gjerë i Moskës.

Udhëheqësi ukrainas pritej të udhëtonte për në Turqi për të takuar Presidentin Recep Tajip Erdogan përpara skadimit të marrëveshjes së grurit të Detit të Zi.

Marrëveshja e Detit të Zi, e cila i ka lejuar Ukrainës të eksportojë drithëra pavarësisht nga bllokada ruse, do të përfundojë më 17 korrik. Turqia, një aleate e NATO-s, luajti një rol të madh në negocimin e paktit.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore