Lajme

Zelensky paralajmëron ushtarët rusë në uzinën bërthamore të Zaporizhzhia


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenksy ka paralajmëruar se çdo ushtar rus që qëllon në centralin bërthamor të rrethuar në Zaporizhzhia do të jetë në shënjestër të shërbimeve të sigurisë.

Në fjalimin e mbajtur ai tha se çdo ushtar që qëllon mbi ose nga uzina do të bëhej “një objektiv i veçantë” për Ukrainën.

Presidenti ukrainas gjithashtu akuzoi Moskën për kthimin e termocentralit në një bazë të ushtrisë ruse dhe duke e përdorur atë si “shantazh bërthamor”.

Rusia e kapi objektin pas luftimeve të ashpra në mars.

Është termocentrali më i madh bërthamor në Evropë dhe ndodhet në një vend strategjik të rëndësishëm në qytetin jugor të Ukrainës, Enerhodar. Teknikët ukrainas ende e operojnë atë, pavarësisht se vendi është nën pushtimin rus.

Në fillim të kësaj jave, objekti ra nën zjarr artilerie, për të cilin Moska dhe Kievi fajësuan njëri-tjetrin.

Gjatë fjalimit të tij nga Kievi, Zelensky tha se Rusia ishte përfshirë në “provokime të vazhdueshme” duke qëlluar mbi uzinën dhe tha se forcat e stacionuara atje e kishin përdorur atë si bazë për të bombarduar Nikopolin dhe qytetin e afërt të Marganets.

“Çdo oficer ushtarak rus që ose qëllon në uzinë, ose qëllon nën mbulesën e uzinës, duhet të kuptojë se ai bëhet një objektiv i veçantë për inteligjencën tonë, për shërbimet tona speciale, për ushtrinë tonë”, tha presidenti.

Ai shtoi se “çdo ditë” e pushtimit të uzinës nga Rusia “rrit kërcënimin e rrezatimit për Evropën”.

Agjencia e inteligjencës mbrojtëse e Ukrainës akuzoi gjithashtu Rusinë për një provokim duke parkuar një obus vetëlëvizës Pion – një lloj tanki – jashtë një qyteti aty pranë dhe duke pikturuar një flamur ukrainas mbi të, në një përpjekje për të diskredituar Kievin.

Një hetim i medias britanike “BBC” zbuloi në fillim të kësaj jave se shumë nga punëtorët ukrainas në vend mbahen nën roje të armatosur në kushte të vështira.

Të enjten, ministrat e Jashtëm nga grupi G7 i demokracive industriale kërkuan që Rusia të tërhiqet menjëherë nga vendi.

Paralajmërimi i tyre i bëri jehonë deklaratave nga mbikëqyrësi bërthamor i Kombeve të Bashkuara, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), e cila bëri thirrje për t’i dhënë fund “të gjitha aktiviteteve ushtarake që rrezikojnë sigurinë bërthamore”.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres ka paralajmëruar se situata në termocentral mund të “çojë në katastrofë”.

Ministria e Jashtme e Moskës ka thënë se ka marrë kontrollin e uzinës për të parandaluar rrjedhjet e materialeve radioaktive gjatë luftimeve në rajon.

Zyrtarët e ministrisë në OKB kanë kërkuar një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të diskutuar situatën në termocentralin. Takimi do të mbahet të enjten në New York.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore