Kosova

Zëdhënësja e MPJ-së ruse: “Kurti dhe Zelensky janë nazistë”


Maria Zakharova

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, janë nazistë.

Zakharova ka shkruar në një opinion të publikuar në Telegram, se Kurti dhe Zelensky vetëm pretendojnë se e kundërshtojnë neo-nazismin, duke thënë se së shpejti ata do ta pranojnë këtë.

“Në fund të fundit, Kurti, Zelensky dhe të tjerë që pëlqejnë të këndojnë lavdi Ukrainës, vetëm pretendojnë se kundërshtojnë të etiketohen si neo-nazistë. Unë mendoj se ata së shpejti do të thonë: Po, ne jemi nazistë, por çfarë mund të bëni për këtë”, ka shkruar Zakharova.

Reagimi i Zakharovas ka ardhur pas planeve të Ministrisë së Kulturës në Kosovë për ta rinovuar shtëpinë e dikurshme të Xhafer Devës, i cilësuar si njeri i afërt me përfaqësuesin e Adolf Hitlerit në Ballkan.

“Prishtina është e gatshme të shpenzojë 300 mijë euro për të restauruar një ndërtesë të vogël trekatëshe ku ky bashkëpunëtor nazist dhe kriminel lufte ka jetuar gjatë okupimit”.

Ndërkaq, familjarët e ish-ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Xhafer Deva, kanë dorëzuar padi në Gjermani ndaj ambasadorit të Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde për shkak të qëndrimit të tij lidhur me këtë çështje.

“Shumë i shqetësuar për planet e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës, një bashkëpunëtor/protagonist i njohur nazist i SS famëkeq Skënderbeg Div. Asnjë zbardhje e historisë! Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas. Mbroni Faktet”, shkroi Rohde në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore